Receta e shijshme e supës me peshk

Supa e Porto Recanati është një nga katër recetat historike të zonës së Marche-s, në Itali, dhe daton që në vitet 900.

Lifestyle

08/09/2019 12:08

Si çdo recetë e vjetër, edhe kjo lindi e varfër, nga nevoja për të përdorur peshkun e vogël që zinin peshkatarët dhe që ishte e vështirë të shitej, transmeton albeu.

Prandaj, në këtë recetë përdoren lloje të ndryshme peshku dhe vetëm vaj ulliri. Me kalimin e viteve, kjo recetë ndryshoi e u bë pjatë më e rafinuar, duke zënë një vend të merituar në territorin e Italisë. Sot, për përgatitjen e saj nevojiten jo më pak se 11 lloje të ndryshme peshku.

PËRBËRËSIT PËR 4/6 PERSONA: 1.5 kg peshk miks dhe fruta deti (sepie, barbun etj) – atë që keni, 400 ml lëng peshku, 1 qepë e vogël, 1 bustinë shafran, 1/2 gotë verë e bardhë, 1/2 gotë ujë i valuar, 1 grusht miell, vaj ulliri dhe kripë.

PËRGATITJA: Pastrojmë peshkun dhe frutat e detit, u heqim halat dhe luspat. I presim në copa të vogla dhe i thajmë me letër kuzhine. Presim imët qepën, e skuqim në tenxhere me pak vaj ulliri dhe kur ajo të jetë bërë transparente, shtojmë sepiet, i skuqim pak dhe më pas i shuajmë me pak lëng peshku të nxehtë.

Shtojmë shafranin, që e kemi tretur më parë me pak ujë të nxehtë, në një filxhan të vogël. I vëmë kapakun tenxheres dhe i lëmë sepiet të ziejnë për 15 minuta.

Ndërkohë, peshqit i lyejmë me pak kripë e miell dhe i vendosim me radhë dhe me delikatesë mbi njëri-tjetrin, në një tenxhere. Shtojmë mbi ta sepiet bashkë me lëngun e tyre, lëngun që kishim lënë mënjanë, verën e bardhë, ujin e valuar dhe i lëmë të ziejnë edhe për 15/20 minuta, pa i përzier, por duke e tundur tenxheren me dorë herë pas here, që të mos ngjiten. Pasi të kenë zier, shtojmë pak majdanoz dhe e shërbejmë me feta buke të thekur.