Politika e Fatit

Votimet nuk kanë të bëjnë me lojërat e fatit, edhe pse në votime mund të luhet me fatin e gjithë një populli.

Opinion

28/08/2019 12:06

Nga Blerim Shala

Sa herë shpallen zgjedhjet e reja të përgjithshme në Kosovë  (e ato, prej pavarësisë e këndej, që të gjitha ligjërisht kanë qenë zgjedhje të jashtëzakonshme), ringjallet shpresa e qytetarëve të Kosovës që me një ditë të vetme të votimit, do të mund të ndodhë një ndryshim rrënjësor i jetës së tyre, i gjendjes së përgjithshme në Kosovë.

Këtij besimi, natyrisht, i kontribuon në masë të madhe edhe qasja e të gjitha partive politike në vend, e cila shquhet me një dyzim premtimesh të mëdha, të cilat i shndërrojnë kutitë e votimit në llampën e Alladinit, apo në ato lojërat e mëdha të fatit, të cilat munden në mënyrë magjike ta sjellin një jetë fare të re.

Qytetarët e Kosovës zatën, në këtë aspekt, e kanë një përvojë të paharrueshme, tepër të rrallë në historinë e re të Rruzullit Tokësor.

Në qershorin e vitit 1999-të, me çlirimin e Kosovës, pas asaj fushate 78 ditëshe të Aleancës Veri-Atlantike, të gjithë ne, të mbijetuarit e luftës në Kosovë, i ngjanim fituesve të bingos.

Shumë rrallë ndodhë që një popull i tërë ta fitojë bingon, që në rastin tonë kishte formën e një jete të re, në liri, në një gjendje kolektive të paparë dhe të papërjetuar në historinë e Kosovës.

Sidoqoftë, votimet nuk kanë të bëjnë me lojërat e fatit, edhe pse në votime mund të luhet me fatin e gjithë një populli.

Këtë e dimë të gjithë.

Udhëqësit politikë të partive/ subjekteve të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e caktuara për 6 tetor, nëse duan të jenë së paku të sinqertë me veten  (nëse nuk mund të jenë me qytetarët e këtij vendi), do të duhej ta dishin se cilat janë mundësitë reale për ta ndryshuar me të shpejtë situatën në vend, dhe çka duhet bërë, në një hark kohor prej dy vitesh, që politika e Kosovës të bëhet faktor që kontribuon në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Kosovës.

Në rrethanat që maten me vite të tëra  (së paku pesë), politika kosovare është burimi kryesor i krijimit të rrethanave të ndërlikuara, në mos edhe të këqija, depresive, për fatin e qytetarëve të saj, dhe të vendit në tërësi.

Përjashtimet, në këtë aspekt janë shumë të rralla në këtë politikë.

Nëse këto zgjedhjet e reja të cilat i kthehen stinës së vjeshtës  (pas dy palë zgjedhjeve pranverore, në vitet 2014 dhe 2017), do ta ndryshojnë këtë gjendje të politikës kosovare, ky do të ishte një sukses i madh.

Nga ky pikëshikim së paku, politikanët dhe partitë tona do të duhej ta përqafonin idenë që Qeveria e re e Kosovës, do të duhej t’i printe një tranzicioni të ri  (të shpresojmë final), të Kosovës.

Në rrethanat e mira, ky tranzicion do të mund të zgjatte diku dy vjet apo edhe pak më shumë.

Gjatë kësaj periudhe, instancat më të larta të Kosovës, Presidenti, Qeveria, Kuvendi, por në këtë rast, në përgjithësi, politika kosovare, do të mund ta rrumbullakësonin një herë e përgjithmonë dialogun me autoritetet më të larta të Serbisë. Porositë më të reja që mbërritën prej Amerikës pas takimit të Sekretarit Pompeo me Presidentin e Serbisë Vuçiqin, sërish janë shumë të qarta: Këto bisedime duhet të përmbyllen me njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky duhet të jetë hapi i parë dhe i mbrëmë i mëkëmbjes së dialogut.

Nëse arrihet ky epilog i bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, (e zatën, tjetër epilog as që mund të ketë, jo vetëm për ne, por edhe për Washingtonin dhe kryqendrat tjera perëndimore), atëherë Kosova si shtet do të mund ta sigurojë qëndrueshmërinë ndërkombëtare, me anëtarësimin në OKB, me njohjen nga pesë shtetet e BE-së, dhe me një qartësi të plotë sa i përket procesit të integrimeve euro-atlantike.

Sprova e dytë e madhe e tranzicionit të ri të Kosovës do të jenë efektet e Dhomave të Specializuara në Hagë. Askush nuk ka dyshim që politika kosovare, në një mënyrë apo tjetrën, do t’i vuaj pasojat e kësaj gjykate.

Natyrisht, Qeveria e re e ka të domosdoshme të krijojë rrethana më të mira, më të volitshme, për sundimin e ligjit në Kosovë, për zhvillimin e ekonomisë, uljen e papunësisë, etj.etj.

Me këto sprova para vetes, Qeveria e re e Kosovës e ka të domosdoshme, objektivisht, ta ketë përkrahjen e dy të tretave të Kuvendit të Kosovës. Nuk bën ndryshe.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)