Nga viti i ardhshëm nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” kalojnë në objektin e gjimnazit “Gjin Gazulli”
Nxënësit e gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi”, në Prishtinë, do të zhvillojnë mësimin në dy shkolla të tjera.
Lajme
Për shkak kushteve jo të mira të objektit të gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi”, në Prishtinë, ku vihet në pikëpyetje edhe siguria e nxënësve, Drejtoria Komunale Arsimore, ka marrë vendim për dislokimin e nxënësve dhe stafit mësimor në dy shkolla të tjera.
Sipas vendimit të DKA-së, nxënësit e klasave të dhjeta do të mbajnë mësim në objektin e Shkollës Fillore së Mesme të Ulët “Emin Duraku”, kurse të gjithë nxënësit e klasave të 11-ta dhe 12-ta, do të mbajnë mësim në objektin e gjimnazit “Sami Frashëri”.
Arbër Gashi, zyrtar Arsimor në Komunën e Prishtinës, i ka thënë lajmi.net, se ky vendim ka ardhur si pasojë e rrezikut që ka kjo ndërtesë.
“Vendimi për zhvendosjen e nxënësve është marr duke u bazuar në një raport të vlerësimit të stabilitetit të ndërtesës, në bazë të këtij raporti objekti nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e mësimit, atëherë si gjendje emergjente është vendosur që të sistemohen në dy shkolla të cilat i plotësojnë kushtet për mësim. Shpërndarja në dy shkolla ka ndodhur sepse shkolla “Ahmet Gashi” ka nxënës më shumë dhe nuk ka hapësirë të mjaftueshme për vendosjen e nxënësve vetëm në një objekt shkollor”, ka thënë Gashi për lajmi.net.
Mirëpo në mesin e prindërve dhe mësimdhënësve ka zëra se ky objekt do të rrënohet dhe më pas do të ndërtohet një park ose ndonjë ndërtim i lartë.
Por një gjë të tillë e ka mohuar Gashi për lajmi.net. Ai ka thënë se asnjëherë nuk është diskutuar çështja e objektit dhe se të gjitha këto janë vetëm spekulime.
“Çështja e objektit asnjëherë nuk është diskutuar se çfarë do të ndodhë me të, kështu që nuk kemi ndonjë informatë dhe nuk është marr asnjë vendim se çfarë do të ndodh me ketë objekt më tutje, të gjitha janë vetëm spekulime”, ka thënë Gashi.
Tutje Gashi ka bërë të ditur se që nga viti i ardhshëm, nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi”, do të vijojnë mësimin në objektin e shkollës “Gjin Gazulli”.
“Nxënësit këtij gjimnazi në vitin e ardhshëm akademik pas renovimit gjeneral të objektit të shkollës “Gjin Gazulli”, planifikohet do të kalojnë në objektin e shkollës “Gjin Gazulli”, pasi që kjo shkollë do të kaloj në objektin e shkollës së vjetër ekonomike dhe do të bëhet qendër e kompetencës në bashkëpunim me LuxDev”, ka treguar Gashi, i cili shtoi se, për komunën dhe DKA-në, është shumë e rëndësishme siguria e nxënësve dhe krijimi i ambientit për mbajtjen e mësimit. /Lajmi.net/
Vendimi i Komunës së Prishtinës, që ka siguruar lajmi.net.