Milan zhgënjen me Cesenan, Juventus e kalon testin
Milani nuk arriti të bëjë më mirë sesa barazimi pa gola kundër Cesenës, ndërsa Juventusi e kaloi me suksesin testin e fundit para fillimit të sezonit të ri të Serisë A, kundër Triestinas.
Sport
Cesena 0:0 Milan
Milan-i nuk ka arritur të shkojë më larg se një barazim pa gola në ndeshjen miqësore të luajtur në stadiumin “Manuzzi” kundër Cesena-s, skuadër e Serisë C.
Ka qenë një paraqitje zhgënjyese nga ana e lojtarëve të Marco Giampaolo-s, të cilët kanë patur mangësi në fazën sulmuese dhe në ndërtimin e aksioneve.
Në minutën e 75-të të takimit ka ardhur edhe debutimi i mbrojtësit brazilian, Leo Duarte, i cili ka marrë vendin e Musacchio-s.
Ka qenë një hap mbrapa për të gjithë, por veçanërisht për Calabria-n(në vështirësi kryesisht në pjesën e para), Biglia-n (shumë i ngadaltë) dhe Suso-n. Nuk ka funksionuar as dyshja Castillejo-Piatek, me polakun që nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në këtë fazë parapërgatitore.
Mes notave të pakta pozitive kanë qenë Paqueta dhe Kessie. Përshtypja është se Giampaolo do të ketë shumë nevojë për këta dy të fundit për ndeshjen e parë të kampionatit, që Milan-i do të luajë 25 gushtin e ardhshëm në fushën e Udinese-s.
Triestina 0:1 Juventus
Bardhezinjtë kanë zhvilluar mbrëmjen e të shtunës testin e fundit në prag të fillimit të sezonit të ri në Seria A. Kampionët e Italisë kanë fituar me rezultatin 1-0 takimin ndaj Triestinas, skuadrës që aderon në Seria C të kampionatit italian. Një provë e përgjithshme në të cilën kanë munguar dy liderit e Juventus, Sarri në pankinë dhe Cristiano Ronaldo në fushë.
Tekniku italian e ka parë ndeshjen nga televizori, për shkak të një gjendje virale që e ka goditur ditët e fundit. Në të njëjtën mënyrë e ka ndjekur skuadrën e tij edhe CR7, që ka qëndruar në shtëpi të stërvitet me djalin e tij. Dy mungesa që gjithsesi, falë magjisë së Dybala, janë ndjerë shumë pak mes bardhezinjve.
Falë porosive të përçuara te stafi, trajneri Sarri ka preferuar të aktivizojë një skemë ofensive me tre sallaksa në sulmin e përbërë nga Douglas Costa, Dybala dhe Bernardeschi, duke lënë në pankinë Higuain dhe Mandzukic.
Në të 38’, Dybala aplikon mrekullinë e tij, duke kaluar Juventusin në avantazh. Një asist i Bernardeschit i ka dhënë jetë kryeveprës së argjentinasit, që pai ka administruar topin, ka shmangur portierin kundërshtar falë një parabole fantastike, e finalizuar me topin në rrjetë, 0-1.
Vetëm tre minuta pas rifillimit të takimit, në të 48’ sërish Bernardeschi protagonist, i penguar në zonë në mënyrë të parregullt dhe arbitri akordon 11-metërsh. Një minutë më pas, sërish Dybala, kësaj here nga pika e bardhë e penalltisë, por kësaj here portieri i Triestinas ndal tentativën e argjentinasit.
Veç zëvendësimeve të shumta, në të 70’ është momenti i debutimit të uellsianit Ramsey, që zuri vendin e Bernardeschit, duke u aktivizuar në rolin e anësorit të djathtë, ndërsa në 30 minutat e fundit të lojës, ishte Higuain ai që luajti rolin e sulmuesit kryesor, duke iu afruar golit në të 82’, por topi përfundon jashtë.
Në të 87’ dridhen bardhezinjtë, pasi Triestina godet traversën me një gjuajtje të Ferretti, por fatmirësisht, topi nuk përfundon në rrjetë dhe Juventus, mund të startojë sezonin me ndeshjen ndaj Parmës, pas një fitore në provat e përgjithshme.
TRIESTINA (4-4-2): Offredi; Scrugli, Malomo, Lambrughi, Formiconi; Procaccio, Giorico, Paulinho, Gatto; Granoche, Gomez. All. Pavanel
JUVENTUS (4-3-3): Szczesny; Danilo, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro; Khedira, Pjanic, Rabiot; Bernardeschi, Dybala, Douglas Costa. All. Martusciello /Telesport/