Dështimi i Kuvendit – nga 144 ligje në agjendë, vetëm 28 të miratuara
Kuvendi i Kosovës vlerësohet se nuk ka arritur ta kthejë funksionimin e plotë të tij as gjatë sesionit pranveror të punës të këtij viti.

Lajme
Agnesa Haxhiu, hulumtuese dhe monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se për këtë vit në shqyrtim kanë qenë 144 projektligje, por që vetëm 28 janë miratuar.
Ajo ka përmendur se në shqyrtim ka mbetur edhe Projektrregullorja e Punës së Kuvendit e po ashtu edhe tri marrëveshjet ndërkombëtare.
“Kuvendi kishte filluar vitin me 55 projektligje në procedurë, të bartura nga viti paraprak, të cilat nuk kishin arritur të përfundonin. Duke u bazuar në programin legjislativ të Qeverisë për Kuvendin, të projektligjeve të bartura nga viti paraprak dhe nismat ligjore që i ka ndërmarrë Kuvendi për këtë vit do të jenë për shqyrtim 144 projektligje. Për këtë sesion Kuvendi ka arritur t’i miratojë 28 ligje ose 18% të planifikimit. Ndërkohë në komisionet parlamentare në procedurë për shqyrtim janë edhe 45 projektligje (31%), ndërsa 71 projektligje (50%) nuk janë përgatitur ende”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë të ditur se të gjitha projektligjet që kanë mbetur në procedurë do të kthehen në pikën zero me shpërbërjen e kësaj legjislature dhe se do t’i takojë legjislaturës e ekzekutivit të ri që të vendosin nëse duan t’i përfshijnë në agjendë legjislative këto projektligje.
Sipas saj, pamundësia për të marrë vendime në seanca ka ndikuar që edhe numri i seancave plenare të jetë i vogël.