Periskopi: Dezertimi i Ramush Haradinajt, ushtarit të vetëshpallur amerikan
Ushtari i vetëshpallur i Amerikës, Ramush Haradinaj, dezertoi. Ai ngriti flamurin e dorëzimit në një periudhë shumë delikate për Kosovën dhe aleatët e saj perëndimorë. Iu deshën vetëm pak minuta për të vendosur për një akt që Kosovës mund t’i kushtojë me vite.
Opinion
Vendimi i tij dinak, aty-për-aty, pa shpjegim racional dhe pa analizë të mirëfilltë të pasojave i ngjanë kamikazëve, që në mungesë të armëve vetësakrifikohen për t’i shkaktuar dëme kundërshtarit dhe lartësuar nderin e vet.
Vendimi u shoqërua më pas me një fushatë viktimizimi të paprecedent, tërësisht kundër natyrës së tij, por me qëllim të ngulitjes së dyfishtë në memorien kolektive të kosovarëve tragjedinë personale.
Simulimi i vitit 2005, i shkuarjes përnjëmend të Haradinajt në Hagë zgjati vetëm pak minuta, sepse nga njeriu që mban me krenari nofkën “Rambo” dolën befasisht lot pikëllimi. Derisa në 2005-ën, pas ngritjes së aktakuzës derdhi lot krejt Kosova për të, në 2019 për një intervistim disa minutash vendosi të derdhte lot i vetëm.
Duke njohur qëllimin e vërtetë të shkuarjes së tij në Hagë, këtyre lotëve iu bashkuan vetëm bashkëpunëtorët e ngushtë, të cilët verbërisht besojnë se Zoti është rikarnuar në trupin e Ramush Haradinajt.
Drama e përcjellë nga postime rrëqethëse dhe vajtuese të bashkëpunëtorëve të tij, të përgojuara nga gazetarë e analistë dhe të publikuara e ripublikuara nga portalet – përfundoi sa hap e mbyll sytë.
Para se të shkonte në Haga, Haradinaj paralajmëroi botën se do ta mbronte luftën e UÇK-së, por ai atje heshti.
Luftën e UÇK-së dhe veten e mbrojti duke heshtur!
Haradinaj në Hagë nuk shkoi si kryeministër, por as si qytetar i thjeshtë. Ai e shfrytëzoi protokollin e shtetit, nuk priti në radhë të gjata të aeroportit të ngarkuar të Prishtinës dhe nuk ndërroi as linjë të aeroplanëve, por shkoi me aeroplan privat dhe e keqpërdori krejt aparatin shtetëror për ta vazhduar rrëfimin e tij të shkuarjes si Ramush në Hagë.
Tentim-manipulimi i opinionit me shkuarjen e tij si viktimë në Hagë dhe kthimi i tij në atdhe si hero, dështoi ende pa filluar.
Mosbindja ndaj demokratëve amerikanë
Dorëheqja e tij për shumëkënd ishte e papritur. Por, në fakt, ajo ishte vetëm rrjedhë normale e veprimit politik të Haradinajt në pesë vjetët e fundit, ku me kryeneçësi të hekurt ishte pozicionuar kundër interesave strategjike të SHBA-së në Kosovë.
“Unë jam ushtar i Amerikës. Unë i zbatoj urdhrat”.
Kështu kishte thënë Haradinaj vetëm pak muaj më parë, duke u munduar që t’ua mbushte mendjen qytetarëve se veprimet e tij janë në linjë me politikat amerikane.
Por, lista e presidentëve, sekretarëve, kongresistëve, senatorëve, diplomatëve, ambasadorëve dhe miqve amerikanë, që Haradinaj i ka kundërshtuar në pesë vjetët e fundit, është shumë e gjatë.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, kishte bindur diktatorin numër një në botë, Fidel Kastron, për të hequr dorë nga një konflikt, i cili 50 vjet më parë, për një fije floku nuk e ndezi luftën e tretë botërore.
Por, Obama ishte treguar i pafuqishëm për ta bindur Haradinajn që të heq dorë nga një kauzë e rrejshme, që për një fije floku nuk e ndezi luftën civile në Kosovë.
Zëvendëspresdenti amerikan, Joe Biden, ndër miqtë më të mëdhenj të Kosovës, erdhi për ta shpëtuar fytyrën e Amerikës, që në vendin më proamerikan në botë filloi të mbulohet nga tymi.
Erdhi edhe John Kerry, sekretar i shtetit dhe ushtarak, po as njëri, as tjetri, nuk arritën ta bindin Haradinajn që të heq dorë nga kufiri përgjatë kullës imagjinare dhe as nga dhuna në Parlament dhe në rrugët e Kosovës.
“Ne kemi investuar aq shumë në Kosovë, saqë mos u gaboni të mendoni se ne do të pranonim diçka që cenon sovranitetin e Kosovës… ”, kishte thënë Kerry i dëshpëruar në Kosovë.
Por, Haradinaj më shumë i besonte paranojave të tij se fjalëve të miqve amerikanë, të cilët edhe sot janë garantuesit e vetëm të integritetit territorial të Kosovës. Haradinaj i tha jo edhe kongresistit amerikan, Eliot Engel, i cili krejt karrierën e vet e ka ndërtuar duke e mbrojtur Kosovën.
Ai u tha jo të gjitha shteteve të Kuintit, të cilat në tri dekadat e fundit u rreshtuan gjithmonë përkrah popullit të Kosovës.
Kështu, Kosova humbi tre vjet, humbi liberalizimin e vizave, respektin e partnerëve ndërkombëtarë dhe imazhin e një shteti demokratik. Veprimet e tij për herë të parë e sollën Kosovën në buzë të ekzistencës.
Por, mbi të gjitha, Haradinaj me kundërshtimin e tij të dhunshëm përjetësisht shkatërroi ndikimin amerikan në Kosovë.
Që nga paslufta, Amerika shërbeu gjithmonë si garantues i paqes dhe krijimit të konsensusit politik në Kosovë. Sot, falë veprimeve të Haradinajt, ambasadat amerikane në rajon kanë më shumë ndikim në politikëbërjen e vendeve të tjera, se ambasada amerikane në Kosovë.
Pasi solli vendin në buzë të luftës civile, Haradinaj për postin e kryeministrit në vitin 2017 e dha kullën bashkë me Zhlebin për ta vazhduar ëndrrën 100 netëshe të vitit 2004.
Çmimi i kryeneçësisë primitive të tij ishte i lartë. Kosova mbeti në geto, e izoluar nga Evropa, si dhe për herë të parë në histori e armiqësuar me Amerikën.
Pas një pauze të shkurtër, Haradinaj e vazhdoi fushatën kundërshtuese ndaj interesave gjeopolitike të SHBA-së në Kosovë. Pas demokratëve, ai filloi mosbindjen edhe ndaj republikanëve, duke e plotësuar kështu hartën politike të Amerikës.
Dezertimi si shantazh ndaj politikës amerikane
Haradinaj të cilin rrethi e parafytyron si njeri të besës, brenda 678 ditëve të qeverisjes së dytë, theu me dhjetëra herë besën mbi të cilën e kishte ndërtuar karrierën e tij politike.
Qysh në fillim të mandatit e portretizoi veten si njeri të terrenit, jo të politikës së jashtme, duke ia dorëzuar Thaçit në duar dialogun. Por, iu deshën vetëm pak muaj, kur bëri përpjekje që t’ia marrë sërish nga duart, me pretendimin se është njeriu i vetëm në botë që është duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.
Njëjtë si tre vjet më parë, Haradinaj vazhdoi me mosbindjen ndaj Amerikës. Kundërshtimi kundër Amerikës kësaj radhe ishte edhe më tragjik.
Ai kundërshtoi presidentin Trump, i cili kërkoi nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kundërshtoi Këshillin e Sigurisë Amerikane, State Departmentin, kundërshtoi presidentin francez Emmanuel Macron, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe e bëri krejt botën kundër vetes dhe Kosovës.
Me sjelljen e tij kamikaze dhe jopolitike, Haradinaj madje edhe e kishte fyer presidentin Macron, duke e kushtëzuar heqjen e taksës me njohje dhe duke e trajtuar atë sikur të ishte ndonjë biznesmen kosovar!
Me këto sjellje, Haradinaj rrënoi Samitin e Berlinit dhe uli reputacionin e presidentit Macron dhe kancelares Merkel, duke i shndërruar ata në liderë të pafuqishëm.
Si një parashikues i dobët i proceseve politike, me aktin e tij kamikaz, Haradinaj synoi që ta zvarris edhe më shumë procesin e dialogut Kosovë – Serbi, i cili sponsorizohet tërësisht nga SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Bashkimi Evropian.
Dezertimi i tij është shantazh ndaj procesit të dialogut, rrjedhimisht edhe ndaj Amerikës, e cila ka investuar shumë dekada dhe para për ta siguruar një paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor.
Në pesë vjetët e fundit, Ramush Haradinaj i ka bërë dëme të pariparueshme Kosovës dhe mbi të gjitha marrëdhënieve tona, dikur speciale, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Periskopi/