Haradinaj: Mbështetja e Kroacisë duke qenë pjesë e Presidencës së BE-së është shumë e rëndësishme për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar ambasadoren kroate në Kosovë, Marija Kapitanovic për vizitën e sotme, derisa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer që institucionet e Kroacisë i kanë ofruar Kosovës, në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi.
Lajme
Gjithashtu, kryeministri Haradinaj me ambasadoren Kapitanovic diskutuan për raportet e shkëlqyeshme që Kosova dhe Kroacia kanë ndërtuar përgjatë viteve por edhe mundësinë e intensifikimit të këtyre raporteve edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
“Mbështetja e Kroacisë duke qenë pjesë e Presidencës së BE-së është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe se jemi duke punuar fuqishëm që qytetarët tanë sa më shpejt të bëhen pjesë e familjes europiane, përmes liberalizimit të vizave”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke shtuar se takimi i Berlinit, ai i Parisit dhe takime të tjera regjionale, janë rast i mirë i bashkëpunimit dhe avancimit të raporteve në Ballkanin Perëndimor.
Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme duke theksuar se qeveria kroate do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për Kosovën. /Lajmi.net/