Do nisë izolimi në burgje/ Të dënuarit më të rrezikshëm pa kontakte me botën

Me urdhër të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku u ngarkua kreu i Krimeve të Rënda, Donika Prela e cila do drejtojë procesin e izolimit të të dënuarve sipas ligjit 41 bis.

Lajme

25/05/2019 17:40

Kjo procedurë do vijojë deri sa të ndërtohet SPAK. Ligji që parashikon izolimin dhe çdo kontakt me botën e jashtme u miratua para disa muajsh dhe ka si shembull ligjin italian të quajtur “41 bis” i aplikuar në Itali ndaj Toto Rinës apo Provencanos.

Në bazë të këtij ligji do të futen në izolim të veçantë të dënuarit e grupit të imamëve, të cilët rekrutuan luftëtarë në Siri, apo Emiliano Shullazin për sa kohë u shpall fajtor për grup kriminal, si edhe të të dënuar që u shpallen fajtorë për vrasje të efektivëve të policisë në vite.

Aplikimi i këtyre masave kryhet pas dështimit të autoriteteve, të cilave shpesh ju dilnin në përgjime të burgosurit duke dhënë urdhra për krime të ndryshme.

Çdo i dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal, akte terroriste, trafik ndërkombëtar droge, apo pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal do t’i nënshtrohen ligjit “41 bis” që është një nga ligjet italiane ndaj grupeve mafioze në shtetin fqinj.

Vendosja nën regjim të posaçëm të të paktën 270 të dënuarve dhe të paraburgosurve do të thotë se ndaj tyre do të vëzhgohen takimet me familjarët, këto takime do të përgjohen dhe regjistrohen.

E gjitha kjo ndodh me qellim për të parandaluar takimet me njerëz të jashtëm. bëhet fjalë për personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore të dënuar për vepra të rënda penale si pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur apo organizatë terroriste.