Zgjedhjet apo zgjidhjet për Kuvendin Evropian
Shkruan: Agron HOTI
Opinion
Nuk do koment që Bashkimi Evropian është në mes të një krize të thellë, një krize identiteti, si rezultat i paaftësisë për të përçuar mjaftueshëm pasion dhe vizion te qytetarët e tij si dhe te humbja e vlerave të cilat e kanë karakterizuar këtë organizim rajonal, në dy dekadat e fundit. Mesazhet e tipit si “të bashkuar në diversitet”, “ne jemi më të fortë”, “globalizimi do të sigurojë të ardhme më të ndritur” nuk kanë arritur të ndryshojnë mendjet e qytetarëve evropianë në favor të projektit Evropian.
Vetë dalja e ulët e qytetarëve në zgjedhje evropiane konfirmon mungesën e shpirtit integrues anë e përtej BE-së. P.sh. dalja në zgjedhjet e vitit 2014 për Kuvendin Evropian ishte vetëm 43%, pra që nga viti 1979 e deri në vitin 2014 dalja në votime ka shënuar rënie e jo rritje dhe kjo është shqetësuese për të ardhmen e BE-së.
Bile bile Shtete Anëtare të BE-së, në të cilat partitë anti-evropiane nuk i kanë motivuar votuesit e tyre të dalin në zgjedhje, përqindja e daljes ka qenë edhe më e ultë p.sh. në Çeki e Sllovaki kishin dalë vetë 20%, në Hungari, Kroaci, Slloveni dhe Poloni vetëm 30%. Kjo është alarmuese dhe se secili shtet ka arsyet e ndryshme për këtë rënie të interesit për zgjedhje evropiane.
Duke qenë se trendi është i tillë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të saj asnjëherë nuk kanë qenë më shumë nën ethe se sa në zgjedhjet për Kuvendin Evropian, prej 23-26 maj 2019. Këto zgjedhje janë të 9-tat me radhë që nga zgjedhjet e para direkte të vitit 1979. Pra, në zgjedhje do të përfaqësohen më shumë se 512 milion qytetarë, nga 28 Shtete Anëtare të BE-së. Partitë Politike caktojnë kandidatët të cilët/cilat sipas tyre kanë gjasat më të mëdha për të fituar vende në Kuvendin Evropian.
Ndarja e ulësve në Kuvend është e përcaktuar në Traktatet e BE-së, ku vendet e mëdha kanë më shumë ulëse, ndërkohë që më të voglat më pak, duke filluar nga Malta, Luksemburgu, Qipro dhe Estonia me nga 6 anëtarë e deri te Gjermania me 96 anëtarë, që ka numrin më të madh në BE të ulësve, pasi që ka numrin më të madh të popullsisë në BE. Nëse Mbretëria e Bashkuar del nga BE, atëherë Kuvendi Evropian nga 751 vende, sa ka aktualisht, do të mbetet me 701 ulëse. Ky reduktim do të krijonte mundësinë që 27 nga 73 ulëset sa i takojnë Mbretërisë së Bashkuar do të ndaheshin për Shtetet Anëtare që janë të nën-përfaqësuara, ndërkohë që 46 vendet tjera do të shërbenin për zgjerimet e ardhshme të BE-së (p.sh. anëtarësimet e Ballkanit Perëndimor).
Zgjedhjet për Kuvendin Evropian drejtohen në masë të madhe sipas ligjeve elektorale nacionale dhe traditave, por ka edhe disa rregulla të përbashkëta të BE-së, të përcaktuara në Aktin Elektoral të vitit 1976. Pas përfundimit të zgjedhjeve më 26 maj, Kuvendi Evropian nuk do të mund të mblidhet i tëri deri më 2 korrik. Kjo do mundësojë që Mbretëria e Bashkuar të kalojë Marrëveshjen për dalje nga BE në mënyrë që britanikët mos të ulen në Kuvendin e ri, legjislatura e të cilit si rëndom zgjat 5 vite, pra deri në vitin 2024.
Me qëllim të maksimalizimit të numrit të votave dhe nga frika e ardhjes në skenë të forcave të ekstremit të djathtë janë bërë disa aleanca jo edhe shumë të natyrshme, por sigurisht të nevojshme dhe domosdoshme karshi dinamikave nëpër të cilat është duke kaluar Evropa. Se a do t’i japin këto zgjedhje zgjidhje projektit Evropian të mbërthyer nga interesat partikulare të Shteteve Anëtare, mbetet të shihet së pari rezultati, e më pas aftësia e këtij institucioni për të përfaqësuar dinjitetshëm zërin qytetar evropian.
Ka pasur shumë zëra dhe hulumtime të ndryshme para-zgjedhore që kanë paraparë një rezultat që do të sillte një Kuvend Evropian të fragmentuar dhe të paaftë për të marrë vendime në frymë evropiane. Për më tepër ka shqetësime që partitë kryesore që deri më tani kanë dominuar Kuvendin Evropian, siç janë qendra e djathtë në krye me Partinë Popullore Evropiane dhe qendrën e majtë në krye me Socialistët dhe Demokratët, do të duhet që për ta rritur ndikimin e tyre të krijojnë aleanca me qendrën që përbëhet nga Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën dhe Partia Evropiane e të Gjelbërve, kjo me qëllimin kryesor që të zvogëlohet ndikimi i mundshëm i partive euroskeptike, të cilat janë grumbulluar në Alenacën Evropiane për Popujt dhe Kombet, ku kjo e fundit pritet të rrisë ndikimin në Kuvendin Evropian ashtu siç e ka rritur edhe nëpër Shtete Anëtare të BE-së.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Deutsche Bank më 13 shkurt 2019 parashihet që: “koalicioni i madh” tradicional i konservativëve të Partisë Popullore Evropiane dhe Social-demokratëve do të humbin shumicën parlamentare në zgjedhjet e majit 2019. Fituesit më të mëdhenjë duket se do të jenë përfaqësuesit e së djathtës ekstreme të cilat së bashku me partitë tjera anti-evropiane mund të rrijnë marrin ¼ e ulësve në Kuvend”. Dhe nëse kjo ndodh, atëherë do të nevojitet konsensus shumë më i gjerë mes grupimeve politike të qendrës për të arritur vendime të shumicës, e sidomos në bashkë-vendim-marrje me Këshillin e BE-së (ose në zhargon Këshillin e Ministrave) për të zgjedhur Kryetarin e Komisionit Evropian.
Nëse ndodh që partitë tradicionale humbin dominimin në legjislaturën e re, atëherë vendim-marrja do të jetë shumë më e vështirë për t’u arritur dhe kjo në një kohë kur nga BE kërkohet përgjigje e shpejtë ndaj zhvillimeve globale në ardhje. Këto zhvillime lidhen kryesisht me presionin e SHBA-së që vende të caktuara të NATO-s e që janë edhe anëtare të BE-së të rrisin shpenzimet ushtarake karshi Rusisë ekspansioniste dhe sfidave globale të sigurisë, pastaj përballja me politikat restriksioniste të Presidentit Trump përballë eksporteve evropiane, rritja e qasjes së BE-së në tregun kinez diçka që Kina nuk e sheh me sy të mirë dhe e pengon, mundësia e fuzionimit të korporatave evropiane për t’u bërë ballë atyre amerikane e kineze edhe pse kjo mund të rrisë monopolet e që do të mund të kundërshtohet nga qytetarët evropianë, rritja dhe konkretizimi i perspektivës për anëtarësime të reja në BE me theks të veçantë Ballkanin Perëndimor të thelluar në krizë politike e ekonimike, etj.
Pra, janë një sërë punësh që e presin legjislaturën e re dhe për të cilat Kuvendi Evropian duhet të jep zgjidhje, nëse dëshiron të mbetet zëri qytetar i BE-së. Kuvendi Evropian duhet të mbrojë dhe promovojë atë që është zemra e suksesit të BE-së, e që është zhvillimi ekonomik si motori që solli BE-në këtu ku është sot. Dizajnimi i një strategjie të përshtatshme si përgjigje ndaj tensioneve tregtare do të jetë sfida numër një me të cilën do të përballet legjislatura e re e Kuvendit dhe Komisionit Evropian.
Përgjigje ndaj proteksionizmit jashtë BE-së duke instaluar proteksionizëm brenda BE-së nuk është zgjidhje, prandaj kultivimi i një politike të hapur është më se i rëndësishëm për perspektivën e rritjes ekonomike. Duke qenë fuqia tregtuese më e madhe në botë BE do të duhej që të shtonte përpjekjet për revitalizimin e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe të thellonte bashkëpunimin tregtar me vende të gatshme për bashkëpunim për të rritur tregtinë globale dhe promovuar politikat investive.
Duhet patur parasysh që vazhdimi i projektit Evropian nuk mund të vazhdojë siç ka qenë deri me tani. Kuvendi Evropian duhet patjetër të merr rol më aktiv për të filluar me reforma të thella brenda tërë BE-së. Kuvendi Evropian, edhe përkundër rritjes eventuale të forcave anti-establishment, duhet të bëhet institucioni që bën propozime konkrete dhe që merr rol drejtues për ndryshime pro-evropiane duke neutralizuar kështu ndjenjat anti-evropiane mes qytetarëve evropianë. Kjo do të ishte zgjidhja që do të duhej të rezultonte nga këto zgjedhje.