Referendumi, instrument demokratik apo politik?

Miratimi i një Ligji për referendum në Kosovë është i nevojshëm, sepse një ligj i tillë do ta ndihmonte demokracinë dhe do ta kompletonte edhe më tutje kornizën ligjore të vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të çështjeve juridike.

Lajme

23/05/2019 17:14

Por, sipas tyre, projektligji për referendum, i cili tashmë është në procedim në Kuvendin e Kosovës, duhet ta ketë vëmendjen e duhur, në mënyrë që pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, si ligj, të mos krijojë hapësirë për realizimin e agjendave politike partiake dhe të liderëve politik.

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, të mërkurën, ka organizuar dëgjimin publik për Projektligjin për referendum, në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve të larta, të Presidencës, të zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë dëgjimit publik janë shprehur mendime të ndryshme, se projektligji duhet t’i përshtatet Kushtetutës, se ai duhet të riformulohet në tërësi, por edhe mendime se projektligji ka tendencë të shfrytëzohet politikisht.

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se referendumi është një nga instrumentet më demokratike dhe është bazë e një shoqërie ku vlerësimi i qytetarëve është i rëndësisë parësore. Por, sipas tij, kushtet aktuale, në të cilat gjendet Kosova, imponojnë kufizime në një ligj eventual për referendumin.

“Në Kosovë, ky instrument mund të jetë pak problematik, për vet faktin se si është dizajnuar shteti i Kosovës, duke u nisur nga Pakoja e Ahtisaarit, për të kaluar pastaj edhe te Kushtetuta e Kosovës, si dhe te funksionimi i Kuvendit të Kosovës. Në Kosovë (ligji) do të duhej t’i nënshtrohej kufizimeve të shumta dhe është diskutabile se sa do të ishte i vlefshëm për çështjet madhore”, tha Muhaxhiri.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili ka qenë pjesëmarrës në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni parlamentar për legjislacion, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nisma për një ligj për referendumin ka kohë që ka nisur, por projektligji ka nisur tash të kalojë përmes komisioneve. Kjo sipas tij, ka ngjallur shqetësimin e shoqërisë civile dhe medieve.

“Pse është shqetësuese tash dhe që e ka marrë vëmendjen e medieve? Është pikërisht pasi që së fundmi është filluar të përmendet mundësia e organizimit të një referendumi për çfarëdo lloj marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht, ka krijuar nevojën që projektligji të procedohet më shpejt në Kuvend, në mënyrë që të ekzistoj baza dhe rregullimi ligjor në qoftë se në të ardhmen mund të organizohet nj referendum për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Kryeziu.

Në shtator të vitit të kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati theksuar se një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përcillet “te vetë sovrani përmes vullnetit të tij, pra populli i Kosovës. Dhe, kjo mundësi duhet të ofrohet”.

“Në rast të arritjes së marrëveshjes do të iniciohet nxjerrja e Ligjit për referendum, për çështje të veçantë konkrete”, pati theksuar Thaçi.

Analisti Muhaxhiri vlerëson se tashmë është e dukshme që ekzistojnë tendenca që çështja e referendumit të keqpërdoret politikisht nga faktorët e ndryshëm politik vendor.

“Spektri politik i Kosovës është i njohur për veprime destruktive dhe qasje politike, të cilat në fund dështojnë. Nga përvoja e kaluar është dëshmuar kjo. Prandaj, është e pritshme që partitë politike ta keqpërdorin çështjen e referendumit për ide populliste, të cilat shkojnë në dëm të shtetndërtimit normal dhe të shëndoshë të Kosovës”, theksoi Muhaxhiri.

Kryeziu thekson që ndonëse Projektligji aktual për referendum ka një listë të çështjeve, të cilat përjashtohen nga mundësia për referendum, organizata së cilës i takon ai, ka propozuar që projektligji në mënyrë eksplicite të përjashtojë referendumin për çështje që mund të përdoren për qëllime të caktuara politike.

“Nga frika se Projektligji për referendum, rrjedhimisht në të ardhmen Ligji për referendum, mund të shfrytëzohet për qëllime politike, kemi propozuar që Projektligji të specifikojë që çdo çështje që prek territorin e Kosovës, të mos jetë subjekt i referendumit në të ardhmen. Kjo për shkak që të largohet kjo mundësi që populli të pyetet edhe për çështje të territorit. Mirëpo, jo vetëm për këtë, por edhe për çfarëdo lloj çështje që bie ndesh dhe e bën jofunksional rendin kushtetues të Kosovës”, theksoi Kryeziu.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për referendum, propozues i të cilit ishte Partia Social-Demokrate.

Ky projektligj parasheh tre lloje të referendumit: referendumin shfuqizues, i cili mundëson shfuqizimin e një ligji ose një pjese të tij; referendumin konsultativ, i cili iniciohet nga presidenti ose Kuvendi dhe përmes tij kërkohet mendimi i qytetarëve për ndonjë çështje të caktuar; si dhe referendumin kushtetues, përmes të cilit Kuvendi mund të organizojë referendum për ndryshime kushtetuese, duke përfshirë edhe dy të tretat e minoriteteve dhe vendeve të rezervuara.