A duhet të formohet Gjykatë Speciale për krimet e luftës nga serbët?
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar letër Parlamentit Evropian dhe vendeve të QUINT-it për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit 1998-1999.

Lajme
Veseli ka përmendur masakrat dhe krimet e shumta që Serbia ka kryer në Kosovë, duke thënë se është e njohur ndërkombëtarisht se nën regjimin brutal të Sllobodan Millosheviqit, shqiptarët në Kosovë ishin viktima dhe objektiv i një dhune sistematike.
“Në total, rreth 90 për qind e popullsisë etnike shqiptare u bënë refugjatë ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre ishin 1230 fëmijë, duke përfshirë bebet dhe fëmijë tjerë të vegjël”, thuhet mes tjerash në letrën e Kryeparlamentarit Veseli, shkruan lajmi.net.
Më herët në media është përmendur edhe themelimi i një Gjykate Speciale e cila do të gjykonte krimet e luftës të bëra nga serbët në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Ndërkohë, kjo nismë është mirëpritur nga organizatat e dala nga lufta të cilët po ashtu kanë thënë se është zhgënjyese se si këto krime nuk janë ndëshkuar edhe tani 20 vite pas luftës.
Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës në një prononcim për lajmi.net tha se OVL e UÇK-së ka qenë iniciatore qysh në themelimin e Gjykatës Speciale të cilën e cilësojnë të njëanshme.
“Po mund të themi se ne kemi qenë iniciator të kësaj nisme të kryeparlamentarit Veseli. Ne do të mbështesim çdo nismë e cila do të zbardh krimet e luftës që ka bërë Serbia në Kosovë”, tha Gucati për lajmi.net.
Ndërkohë edhe Fatmire Rushiti nga Organizata për Viktimat e Dhunës Seksuale në një prononcim për lajmi.net tha se krimet e luftës në Kosovë e sidomos ato të dhunës seksuale nuk janë ndëshkuar.
“Mund të them se nuk janë të ndëshkuara krimet e luftës, e sidomos viktimat e dhunës seksuale të cilat unë i përfaqësoj më tepër – asnjë person i vetëm nuk është dënuar deri më sot”, tha Rushiti.
Ajo gjithashtu është shprehur se ka nevojë për një tribunal të veçantë në mënyrë që këto lëndë të mos i nënshtrohet gjykatave bazike që merren edhe me krime të thjeshta, duke u shprehur skeptike për një gjykatë ndërkombëtare pas zhgënjimit që kanë pasur këto raste nga Gjykata e Hagës.
“Aty ka nevojë për tribunal të veçantë, të kemi prokurori speciale që merret me krime të luftës. Nëse lëndët kalojnë nëpër prokurori të krimeve të luftës i nënshtrohen gjykatave bazike të cilat merren edhe me krime ordinere. Ndoshta kjo e paraqet nevojën për diçka më të specializuar. A duhet të jetë e nivelit ndërkombëtar, nuk e di çfarë të them sepse duke u bazuar nga Gjykata e Hagës nuk është se ka pasur ndonjë sukses”, tha Rushiti për lajmi.net.
Rushiti ka treguar se janë katër gra të cilat kanë dëshmuar në Gjykatën e Hagës dhe nuk kanë marrë drejtësi e madje kanë pakënaqësi edhe në trajtimin e tyre.
“Ne i kemi katër gra të cilat kanë dëshmuar, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë drejtësi dhe mënyra e trajtimit të tyre ka shkaktuar pakënaqësi tek vet ato. Po them që këto krime kanë mbetur pa u dënuar dhe nëse i sheh statistikat mungojnë rastet të cilat janë trajtuar krimet kundër shqiptarëve, më shumë ka denoncime nga serbët sesa nga shqiptarët dhe kanë mbetur pa u ndëshkua, fatkeqësisht”, tha Rushiti.
Ajo në fund tha se është e domosdoshme që të ndëshkohen krimet e luftës ani pse e sheh si të vonuar mundësinë që të merret drejtësia e merituar.
Ndërkohë në letrën e Veselit dërguar vendeve të QUINT-it tha se Kosova ka treguar se është vend paqedashës dhe kërkon në mënyrë aktive marrëdhënie pozitive me fqinjtë.
“Gjatë dhjetë vjetëve të ekzistencës së saj, Kosova ka treguar se është një vend paqedashës dhe që në mënyrë aktive kërkon marrëdhënie pozitive me të gjithë fqinjët e saj, duke përfshirë këtu Serbinë. Megjithatë, duhet të them se ende duhet bërë shumë për të mundësuar shërimin, dhe një pjesë e këtij shërimi është pranimi i së vërtetës. Në emër të Kuvendit të Kosovës, dëshiroj t’ju ftoj ju dhe kolegët tuaj për të bërë të mundur njohjen formale e padrejtësisë historike që është bërë kundër popullit tim. Kjo mund të bëhet përmes një rezolute që vë në dukje dhe dënon krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Veselit.
Vlen të theksohet se shumë shpesh ka pasur ankesa në lidhje me mos-dënimin e krimeve të luftës që ka bërë Serbia në Kosovë. /N.S/Lajmi.net/