Në Ferizaj bëhen kartela elektronike shëndetësore për pacientët

Se rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët ferizajas, efikasiteti i shtuar në ofrimin e tyre dhe qasja e shpejt e memorizuese për kontrollin shëndetësor janë prioritet në kuadër të platformës së shëndetësisë, po dëshmohet edhe me sistemin informativ shëndetësor i cili është lansuar pak ditë më parë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe institucionet në vartësi të saj.

Lajme

22/03/2019 13:33

Ky sistem integral do të shërbej që në kohë reale, punonjësit shëndetësor të përcjellin gjendjen e pacientëve, evoluimin e terapive të marra përmes shërbimit shëndetësor, monitorimin e vazhdueshëm të historikut, dosjes shëndetësore të pacientit si dhe rregullimit përfundimtar statistikor për vizitat e pacientëve, numrin e shërbimeve të kryera, furnizimin me ilaçe, duke rritur maksimalisht përgjegjësinë dhe efikasitetin në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Zyrtari i IT në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bekim Salihu, ka njoftuar se janë përfunduar të gjitha trajnimet bazike për stafin shëndetësor në përdorimin e këtij sistemi dhe se tashmë një sistem i tillë është funksional andaj ftohen të gjithë qytetarët ferizajas të cilët marrin shërbime shëndetësore në QKMF që në rastin e vizitës tek mjeku të kenë me vete letërnjoftimin, kurse për të vegjlit vlen certifikata e lindjes në mënyrë që të dhënat nga shërbimi i kryer të procedohen menjëherë përmes sistemit elektronik.

Pajisja me kartela elektronike/digjitale shëndetësore është një ndër reformat më të rëndësishme në menaxhimin me ofrimin e shërbimit shëndetësor ndaj pacientëve në nivel të mjekësisë parësore andaj ky hap për Ferizajn paraqet hapjen e një kapitulli të ri investimesh, kontrolli të shtuar strukturor si dhe përgjegjëshmërie e efikasiteti i plotë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët ferizajas.