Data e harruar e 18 marsit
18 marsi i vitit 1999-të dhe 17 shkurti i vitit 2008-të, janë ditët kur ne dolëm fitues ndaj Serbisë dhe ndaj historisë tragjike. Pa to, nuk do ta kishim lirinë dhe shtetit.
Opinion
Po që se do të bëhej një pyetje politikanëve shqiptarë të Kosovës, mbase, edhe qytetarëve të Kosovës, çfarë paraqet në historinë e këtij vendi data e 18 marsit, vështirë që dikush do ta dinte përgjigjen e saktë.
Do të kujtoheshin e mendoheshin gjerë e gjatë, por me siguri, shumica dërrmuese e të anketuarve, nuk do të dinin se për çka bëhet fjalë.
Qytetarët e Kosovës, veçmas këta të moshës së re, nuk kanë si ta dini se çfarë domethënie ka kjo datë.
Politikanët do të duhej ta kishin në mend atë. Por, mënyra se si funksionon kjo politika jonë për vite të tëra, nuk sjell befasi për të mirë as për këtë temë.
Në Paris, me 18 mars të vitit 1999-të, Kryesia e Delegacionit të Kosovës që mori pjesë në Konferencën e Rambouilletit (kjo Kryesi përbëhej prej Dr.Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit, Rexhep Qosjes dhe Veton Surroit), do ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambouilletit për Kosovën.
Kur bëhet fjalë për nënshkrimet e politikanëve shqiptarë që kanë të bëjnë me fatin e Kosovës, apo, me zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, data e 18 marsit, 1999, ka realisht, po të njëjtën vlerë si data e 17 shkurtit, 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë dhe kur liderët institucional të vendit dhe deputetët, nënshkruan Deklaratën e pavarësisë.
Këto janë dy datat vendimtare që na ndanë, një herë dhe përgjithmonë, nga ai kobi historik dhe politik që na kishte përcjellë që nga krijimi i Shqipërisë, pa Kosovën, në vitin 1912-të.
Dikush këtu mund të thotë që nuk bën që data e 18 marsit (1999), të shihet dhe interpretohet e ndarë prej një morie datash të rëndësishme në këtë ndërmarrjen gati një shekullore të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
Qëndron ky konstatim. Ashtu edhe është, njëmend. Një Lëvizje politike dhe ushtarake e shqiptarëve të Kosovës, që ka njohur krah të majtë dhe të djathtë, është ndërtuar mbi data të shumta domethënëse të cilat ashtu së bashku, krijojnë atë ‘Kalendarin e lirisë’ së Kosovës.
Shumë prej këtyre datave u bënë në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, një herë me Lëvizjen paqësore, pastaj, edhe me atë ushtarake.
Por këto dy data, pra, 18 marsi i vitit 1999-të dhe 17 shkurti i vitit 2008-të, janë ditët kur ne dolëm fitues ndaj Serbisë dhe ndaj një historie tragjike. Pa to, nuk do të kishte një epilog të duhur për ne. Sot nuk do të ishim të lirë, dhe nuk do të ishim shtetas të Republikës së Kosovës.
18 marsi i Parisit, ka edhe një tjetër rëndësi për ne, shqiptarët e Kosovës.
Me nënshkrimin, nga ana e Kryesisë së Delegacionit të Kosovës, të Marrëveshjes së Rambouilletit, ne zyrtarizuam raportet tona me SHBA-të, me shtetet më të mëdha të Evropës, me BE-në, gjithsesi, edhe me Aleancën Veri-Atlantike.
Ky partneritet që u vendos zyrtarisht atë ditë në kryeqytetin e Francës, ishte më meritori që gjashtë ditë më pas, të mërkurën e 24 marsit, të niste fushata ajrore e Paktit NATO, e cila bëri të mundur çlirimin e Kosovës.
Dihet botërisht që Javier Solana, Sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i Aleancës, nuk do të mund ta urdhëronte Gjeneralin Clark për ta nisur këtë luftë, pa nënshkrimin e 18 marsit në Paris.
Pastaj, partneriteti që u krijua atë ditë në Paris, në mes nesh dhe Perëndimit, ka qenë gjithsesi vendimtar edhe për të mbërri në 17 shkurtin e vitit 2008-të, kur Kosova bëhet shtet.
Rendi ka qenë pra që së paku tash e tutje, në kalendarin e ditëve kyç të Kosovës, të vendoset edhe data e 18 marsit, në kujtim të kësaj ngjarjeje madhore në historinë e Kosovës.
Në anën tjetër, kur këto ditë po përkujtojmë njëzet vjetorin e përfundimit të Konferencës së Rambouilletit dhe të fillimit të fushatës së Paktit NATO, nuk ke si të mos marrësh në konsideratë faktin që aktualisht, për shkaqe të shumta (të cilat i dimë të gjithë ne), ne kemi mbërri në shkallën më të ulët në marrëdhënieve tona me SHBA-në dhe me BE-në, të cilat kanë njohur, që prej asaj dite në Paris, një vazhdimësi dhe një qëndrueshmëri.
Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme, jo vetëm në atë vitin e largët, 1999-të, por edhe vetëm pak muaj më parë.
Kjo situatë duhet të tejkalohet urgjentisht.
(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)