Policia jep detaje për plagosjen ‘te rrethi me flamur’ në Prishtinë

Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen që ndodhi mbrëmë “te rrethi me flamur”.

Lajme

24/12/2018 09:45

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për plagosjen që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Sipas Policisë, mbrëmë rreth orës 23:00, ka marrë informacionin se në rrugën “5 maji” në Prishtinë, saktësisht në afërsi të “Rrethit të Flamurit”,  ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas  njoftimit, me të dalë në vendin e ngjarjes Policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku  nga arma e zjarrit ka marrë plagë 19-vjeçari me inicialet M.G, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor.

Mbështetur në informacionet e mbledhura nga tereni dhe në bazë të hetimeve preliminare, dyshohet se një person i dyshuar  i cili ishte në një veturë, e cila ishte në lëvizje, me armë zjarri ka shtënë disa herë, në drejtim të viktimës dhe katër personave të tjerë, të cilët gjithashtu ishin në veturën e tyre, duke lëvizur në rrugën e sipërshënuar.

Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar në sqarimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë rast, si dhe në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar. /Lajmi.net/