Bie mbështetja për Angela Merkel
Sondazhet e fundit në Gjermani tregojnë një rënie të mbështetjes për koalicionin e Angela Merkel. Aleati i vjetër konservator i kancelares Volfgan Shojble, tha se kolegia e tij e ka humbur prestigjin dhe zgjedhjet e fundit mund të sjellin ndryshime thelbësore në arenën politike të vendit.
Bota
Aleatët konservatorë të Angela Merkel mund të humbasin në zgjedhjet rajonale të së dielës në Bavari. CSU, partia krishtere e Bashkimit Social, e cila formon koalicionin e madh qeverisës bashkë me partinë e kancelares, parashikohet të humbasë 14% të mbështetësve të saj.
Sondazhet i vendosin të gjelbrit, me politikat e tyre pro emigrantëve dhe mbrojtjes së natyrës, 10% më lart, si forca e dytë më e madhe.
Edhe partia Alternativa për Gjermaninë, e cila mbron politikat kundër emigrantëve, mund të hyjë në parlament për herë të parë me 11% të votave.
Aleati i vjetër konservator i kancelares gjermane Angela Merkel, Volfgan Shojble, tha të premten se kolegia e tij e ka humbur prestigjin dhe zgjedhjet e fundit mund të sjellin ndryshime thelbësore në arenën politike të vendit.
Ish-ministri i financave, i cili tani drejton dhomën e ulët të parlamentit, i tha televizionit ES-VE-ER se Merkel mundet edhe të mos e fitojë postin e kreut të partisë nëse do të kandidojë në kongresin e dhjetorit.
Në mandatin e saj të katërt, Merkel e udhëheq vendin prej 13 vitesh, por mbështetja për bllokun e saj konservator është zbehur qëkur ajo vendosi të hapë dyert për 1 milionë emigrantë në vitin 2015.