Lëkundja e themeleve të shtetit

Sundimi i ligjit është themeli mbi të cilin mund të ndërtohet një shtet i qëndrueshëm. Dhe anasjelltas.

Opinion

16/08/2018 09:38

Blerim Shala

Nuk ka politikë dhe shoqëri njerëzore ku nuk ka probleme të mëdha. Ku nuk ka krim individual dhe të organizuar, ku nuk ka rryshfet dhe korrupsion, ku nuk ka pakujdesi dhe papërgjegjësi institucionale, ku nuk ka dështime të vogëla dhe të mëdha në funksionimin e rendit dhe ligjit. Zatën, tani e gjithë Bota njëmend jemi bërë një ‘fshat global’  (i paralajmëruar qysh në vitet e gjashtëdhjeta nga njohësit e zhvillimit të Qytetërimit perëndimor), dhe ne përditë, përmes telefonave të mençur marrim vesh për marrëzitë e të gjitha llojeve që sillen dhe pështillen edhe në shtetet më të zhvilluara, më të përparuara.

Megjithatë, cilësia e një politike dhe e një shoqërie mbi të gjitha është në raport të drejtë me mënyrën se si një shtet, një qeverisje, një organizim shoqëror, reagon apo i përgjigjet  këtyre sprovave të cilat gjithmonë synojnë të instalojnë ‘teorinë e predecentit’, e cila pastaj pamundëson mbajtjen në fuqi të dallimit themelor në mes të gjendjes normale dhe asaj abnormale.

Kjo teori ta zëmë, në Sundimin e ligjit në New York shpjegohet ndryshe edhe si ‘teoria e xhamit të thyer’, në hyrjen në një stacion të trenit nëntokësor. Nëse një ditë thehet një xham në një dritare, dhe askush nuk reagon, së pari duke e zëvëndësuar atë, e pastaj edhe duke ndjekur atë që ka bërë këtë veprim të gabuar, atëherë, në ditët në vijim, sepse në ndërkohë është kuptuar që po bëka të sillesh në këtë mënyrë pa u ndëshkuar fare, do të thehen të gjithë xhamat në hyrjen në një stacion.

Kosova gjatë këtij viti, si politikë dhe si shoqëri, është përballur me një mori sprovash të këtij lloji, ku megjithatë duhet veçuar dy, sepse ato dëshmojnë që këndejpari, po përballemi me probleme të mëdha në fushën e Sundimit të ligjit, e cila realisht, dhe këtë do ta kuptojmë herët a vonë, është themeli mbi të cilin mund të ndërtohet një shtet i qëndrueshëm. Dhe anasjelltas.

Rasti i parë ishte vrasja e Oliver Ivanoviqit, politikanit të njohur serb të Veriut.

Mbase, nuk ka mbetë fjalë e duhur pa u thënë në shpjegimin dhe interpretimin e një atentati politik, i cili si asgjë më parë, sipërfaqësoi natyrën e telasheve në Veriun e Kosovës. Ai vet zatën për muaj të tërë para se të likuidohej, kishte definuar në mënyrë shumë të saktë se cila ishte kryeçështja e Veriut të Kosovës: Sundimi i ligjit.

Tani, kur janë bërë shtatë muaj prej vrasjes së tij, është vështirë t’i iket konkludimit që rendi dhe ligji në Kosovë, por edhe politika kosovare në përgjithësi, kanë humbur një rast të jashtëzakonshëm që duke marrë si pretekst vrasjen e një politikani të shquar serb, të krijohen rrethanat për instalimin e ligjit dhe normalitetit në Veri të Kosovës, me ç’gjë, natyrisht, i gjithë rrëfimi për integrimin e kësaj pjese të vendit, do të merrte një kahje tjetër, edhe në kontekstin e dialogut të Brukselit. Pa kurfarë dyshimi, tani do të flitej ndryshe për gjendjen në Veri të Kosovës, sikur të zbardhej vrasja e Ivanoviqit.

Nëse një rast i tillë nuk ka mundur të zgjidhet deri sot, për çfarë rendi dhe ligji mund të flet pushteti kosovar tek qytetarët serbë të Veriut?

Rasti i dytë është fare i ri, është shumë aktual dhe ai ka të bëjë me dorëheqjen e Elez Blakajt, një prokurori në SPRK-në  (Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës).

Është bërë e ditur për të gjithë ne, si qytetarë të rëndomtë të Kosovës, që ky prokuror është detyruar të largohet nga detyra  (me gjasë, edhe nga vendi, nga Kosova), për shkak të kërcënimeve të të gjitha llojeve, në vijim të hetimeve në të cilat ky prokuror ishte i përfshirë.

Kemi të bëjmë, të mos harrojmë, për Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila është instanca më e lartë e mbrojtjes së interesave ligjorë të shtetit të Kosovës. Tej saj më nuk ka gjë. Kur SPRK nuk funksionon, atëherë shteti nuk ka mbrojtje, në këtë aspektin e ligjit.

Pasiqë morëm vesh për arsyet e largimit të prokurorit Blakajt, ndodhi një lloj i ‘vërshimit’ të deklaratave dhe prononcimeve prej autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare, në të cilat nëse mund të themi kështu, ndodhi një distancim moral dhe politik ndaj një shembulli të këtillë të keq dhe të rëndë. Por këtu nuk është rendi i distancimit moral dhe politik, nëse duam rend dhe ligj në Kosovë. SPRK tash do të duhej të mirrej së pari me hetimin e rastit të kërcënimit të ish prokurorit të vet, dhe pastaj, të vazhdojë aty ku ka mbetë Blakaj.

Shteti nuk njeh dorëzimin. Para askujt.