Distancimi ndaj Botës

Politika kosovare, ka një distancë problematike ndaj ndryshimeve të rrezikshme në Rendin ndërkombëtarë. Ne jemi të papërgatitur për pasojat e këtyre ndryshimeve.

Lajme

26/07/2018 15:55

Me mot jemi bërë Evropë Perëndimore.

Një mot krejtësisht ndryshe në verën e këtij viti, ku ndodhë që brenda ditës pesë herë të bie shi, të ketë diell që përcëllon dhe vranësira të ftohta vjeshtore, ka bërë që qytetarët e Kosovës, që presin që të bëhen qytetarë të Evropës me fitimin e të drejtës për të udhëtuar pa viza, edhe në këtë mënyra pra, po e ngushëllojnë veten këto ditë, duke kërkuar lidhjen në mes këtij moti dhe Evropës Perëndimore.

Por këtu nuk jemi vetëm ne që ashiqare jemi goditur nga ndryshimet klimatike. E gjithë Bota po i vuan viteve të fundit pasojat e ndërhyrjes brutale, të pakufizuar të njeriut dhe të teknologjisë së tij të gjithëllojshme dhe të gjithëpushtetshme, mbi natyrën. Nëse dikush ka dyshuar që këto dy dukuri nuk janë të ndërlidhura, argumentet e tij janë treguar të kota dhe të pavlefshme.

Sidoqoftë, për motin vlenë i njejti qëndrim si për Rendin ndërkombëtarë: Kot ankohesh. Nuk mund ta ndryshosh ate  (motin), mësa Rendin ndërkombëtarë. Çfarë të mbetet, si individ, në rastin e motit dhe si popull e shtet, kur bëhet fjalë për rrethanat ndërkombëtare, është të adaptohesh, të përshtatesh, të gjindesh dhe të mbijetosh e të forcohesh. Zatën, nëse kemi harruar, kjo ishte krye-gjetja e Charles Darwinit dhe të Teorisë së tij të Evolucionit. Nuk është e thënë që të më mençurit dhe më të fuqishmit të mbijetojnë. Rëndom, speciet që kanë mbetë gjallë kanë ditë t’i përshtaten rrethanave në natyrë.

Nëse moti i tashëm është pasojë e drejtpërdrejtë e zhvillimit të hovshëm teknologjik të njerëzimit, çrregullimet gjithnjë më të mëdha në Rendin ndërkombëtarë, kanë një mori shkaqesh, dhe kërkimi dhe vlerësimi i tyre është ‘punë e vazhdueshme’ në kryeqendrat perëndimore, ku politikanë dhe ekspertë të ndryshëm, ende nuk i kanë ra në fije pse demokracia liberale po goditet kaq ashpër nga popullizmi i të gjitha fytyrave. Apo, pse thuaja të gjitha vlerat e njohura politike dhe qytetëruese të Perëndimit, janë në zbrapsje e sipër para mësymjes së intolerancës, ksenofobisë, urrejtjes për të tjerët.

Sidoqoftë, Bota e tanishme, njëmend ka pakçka të përbashkët me atë Botën e triumfit historik dhe politik të Perëndimit, në vitet e shembjes së Komunizmit, kur u llogarit që i gjithë Rruzulli tokësor do të bëhet një dhe i vetmi (në organizimin politik dhe shoqëror), dhe që më nuk do të ketë luftëra dhe konflikte të mëdha.

Shumëkush në Perëndim kohëve të fundit, veçmas në Evropë, në vitin kur do të shënohet 100 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore, po tërheq paralelet në mes të Botës së sotme dhe asaj para se të shpërthente kjo Luftë  (në vitin 1914). Mbase, ky krahasim bëhet edhe për të shtuar shqetësimet  (gjithsesi ekzistuese), që Bota mund lehtë të rrëshqasë, njëlloj zatën siç bëri në vitin 1914, në një luftë të re, përmasat e të të cilës, natyrisht, do të ishin shumëfish më tragjike se ato para një shekulli.

Në rastin e politikës kosovare, nuk vërehen fare shenjat e shqetësimit me gjithë këtë ndryshimin dramatik të rrjedhave në të katër anët e Botës, duke përfshirë këtu edhe vet Evropën. Nuk mbahet në mend, pos në rastin e përcjelljes së Kampionatit botëror në futboll, kur është vërejtur një interesim i mirëfilltë i kësaj politike për ngjarjet në Botë.

Ta merr mendja që ne, si Kosovë, jemi diku në një skutë absolutisht të sigurtë dhe të pandikueshme nga gjithë kjo rrëmujë e madhe politike, ekonomike dhe shoqërore, apo që neve asgjë nuk mund të na gjejë as tash, dhe as në të ardhmen.

Kemi mbijetuar, si popull, si shqiptarë të Kosovës, goditje të jashtëzakonshme dhe tragjedi të tilla, të cilat me gjasë, do të rrëzonin edhe popuj më të mëdhenj se ne. Mbase, për këtë shkak mendojmë që tash kemi një lloj të ‘imunitetit politik’, ndaj të gjitha ‘sëmundjeve dhe të këqijave’ që qarkullojnë në rajon, në Evropë dhe në Botë.

S’do mend që kjo bindje e jona nuk ka gjë të përbashkët me realitetin.

Në fakt, politika e sotme kosovare, ka krijuar një distancë shumë problematike ndaj ndryshimeve të rrezikshme në Rendin ndërkombëtarë. Nuk jemi aspak të përgatitur për pasojat eventuale të këtyre ndryshimeve, të cilat nuk kanë si të mos mbërrijnë edhe në Kosovë, në një formë apo tjetër.