Politika kosovare dhe dialogu me Serbinë

Nëse politika kosovare nuk vjen në vete së shpejti dhe nuk organizohet për fazën finale të dialogut me Serbinë, Kosova do të jetë përgjegjëse për dështimin e këtyre bisedimeve.

Opinion

15/07/2018 18:02

Analizë nga Blerim Shala:

Pezullimi i vetvetes

Nëse politika kosovare nuk vjen në vete së shpejti dhe nuk organizohet për fazën finale të dialogut me Serbinë, Kosova do të jetë përgjegjëse për dështimin e këtyre bisedimeve.

Institucionet e tanishme të Kosovës nuk kanë legjitimitet për të zhvilluar bisedimet me Serbinë, për arritjen e Marrëveshjes ligjësisht obligative.

Sigurimi i këtij legjitimiteti kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, dhe krijimin e institucioneve të reja, gjegjësisht të Kuvendit dhe të Qeverisë me mandat të ri.

Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, Kosova do të mund të zhvillonte bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Këto tri fjali janë përpjekje për të qartësuar sa më shumë që është e mundur, porositë që ditëve të fundit Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, dhe kjo parti, i kanë dhënë për opinionin publik të Kosovës, për skenën politike kosovare, dhe për diplomatët perëndimorë që shërbejnë në Prishtinë.

Në fakt tash e sa kohë LDK-së si parti i ka munguar qartësia në raport me detyrimin e Kosovës që ta përmbyllë dialogun me Serbinë. Deklaratat e zyrtarëve të saj, jorrallë janë shquar me porosi dhe vlerësime kundërshtuese dhe përjashtuese  (njëra me tjetrën). Tani duket që ish-Kryeministri Mustafa ka marrë vendimin që dialogu me Beogradin nuk mund të bëhet pa i sqaruar hesapet e brendshme politike, në një proces të ri zgjedhor, i cili, sipas supozimeve të udhëheqësisë së LDK-së do të duhej të mbahej në muajtë vijues që njohin vjeshtën si stinë të sërishme zgjedhore.

Nuk është aspak e qartë se si do të mund të përqafohej kjo agjendë zgjedhore e LDK-së, nëse nuk do të ketë në ndërkohë një Mocion të suksesshëm të votëbesimit të Qeverisë së Kryeministrit Haradinaj (pra, që të grumbullohen së paku 61 vota të deputetëve për rrëzimin e saj), apo, nëse vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç bënë në majin e vitit 2004, nuk do të vendosin ta shpërbëjnë Kuvendin, me votat e së paku 80 prej tyre, dhe t’i hapin udhë zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të katërtave prej se ky vend u bë shtet i pavarur.

Ne, si shtet, asnjëherë nuk kemi pasë zgjedhje të rregullta parlamentare.

Në realitet, çështja e legjitimitetit të një Qeverie, për ta udhëhequr vendin, dhe e legalitetit dhe legjitimitetit për t’i bërë bisedimet me Serbinë, janë çështje që nuk kanë gjë të përbashkët. Këtë zatën e kanë konstatuar të thuash të gjithë politikanët relevantë të Kosovës, si ata qeveritarë, ashtu edhe ata opozitarë. Numrat e Kuvendit të Kosovës, qofshin ata edhe impresiv, nuk shihen si pikënisje e mirë për të bërë dialog me Serbinë. Për këtë shkak, nuk ka mbetur politikan dhe analist e publicist shqiptar në Kosovë, i cili nuk ka thirrë në konsensusin si vlerë themelore të një legjitimiteti politik që duhet siguruar për ta kryer një herë e mirë temën e bisedimeve me Serbinë.

Pra, kemi të bëjmë me një ekstra-legjitimitet, legjitimitet shumë të veçantë, i cili është instaluar në Kosovë që nga Konferenca paqësore e Rambouilletit  (1999), pastaj, ka vazhduar edhe në Procesin e Vjenës  (2006-2007), dhe që tani do të duhej të ishte identiteti kryesor i Delegacionit të Kosovës, apo të një tjetër Ekipi të Unitetit, në formimin e të cilit tash e sa kohë ka këmbëngulur Presidenti Thaçi.

Nga ky pikëshikim pra, nuk është aspak e qartë se çfarë do të ndryshojë edhe nëse arrihet një dakordim në politikën kosovare që të shkohet së shpejti në zgjedhje të reja, dhe që më pas, Qeveria dhe Kuvendi i ri  (Presidenti Thaçi do të mbetet aty ku është sot, ai nuk është pjesë e zgjedhjeve të reja), do të përpiqeshin të adresonin çështjen e bisedimeve të fazës finale, konkluduese me Serbinë.

Le të supozojmë që LDK, në këto zgjedhjet e reja të përgjithshme,  do të dilte partia më e madhe në vend, dhe do të ishte në ballë të Qeverisë, së bashku me ndonjë partner të koalicionit të ri qeverisës.

Pa marrë parasyshë numrat eventualë që kjo Qeveri do t’i kishte në Kuvendin e Kosovës, sërish Kryeministri dhe Presidenti, për shkak të natyrës së bisedimeve me Serbinë, do të detyroheshin të kërkonin një konsensus sa më të gjërë të mundshëm për t’i

dhënë epilog negociatave me Serbinë, që në një formë apo tjetrën, po zhvillohen tash e 21 vjet, apo që nga vitit 1998 e këndej.

Edhe atëherë do të kishte pra qeveri dhe opozitë, siç ka sot. Ndoshta Qeveria e re e Kosovës do ta kishte një shumicë më stabile parlamentare për ta udhëhequr Kosovën, se sa që është rasti me Qeverinë aktuale, por ky fakt, nuk do të kishte fare rëndësi në adresimin e çështjes së dialogut me Serbinë.

Në anën tjetër, nëse hulumtimet e disponimit/ vullnetit të opinionit publik që u bënë të ditura kohëve të fundit, janë të qëndrueshme, megjithëse tek ne ende nuk kemi adresa stabile në ushtrimin e kësaj zeje shumë të veçantë, del që LDK, që ka gjasa të mira të dalë partia e parë në zgjedhje po të mbaheshin ato së shpejti. Megjithatë, gjithnjë sipas këtyre hulumtimeve, për të pasë Qeveri të qëndrueshme, LDK do të detyrohet të bëjë koalicion me PDK-në e Kadri Veselit, ose me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ të Albin Kurtit.

Lidershipi i LDK-së, tash e sa kohë, gjithë orientimin e vet politik e ka bazuar në përplasjen e vazhdueshme me PDK-në, por dhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, raporti ndaj të cilit, duket që po bëhet një ‘busollë’ politike për ‘luftën për pushtet’ brenda vet LDK-së, dhe në qasjen e LDK-së në politikën kosovare në përgjithësi. Për këtë shkak, mbetet çështje e diskutueshme sa do të ishte LDK e gatshme për një tjetër ‘Koalicion të madh’, çfarë ishte ai i viteve 2008-2010 dhe 2014-2017.

Partneriteti eventual me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ të Albin Kurtit, do të mund t’i siguronte LDK-së një Qeveri që me gjasë do të mbërrinte tek një shumicë stabile në Kuvendin e Kosovës, (së bashku me deputetët e komuniteteve), por ky fakt nuk do të kishte kurfarë vlere në adresimin e temës së dialogut.

Së pari, Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ me siguri do ta kushtëzonin partneritetin me LDK-në me një rol vendimmarrës në çështjen e dialogut, dhe këtu nuk ka kurfarë të panjohure sa i përket qëndrimit të Kurtit për dialogun. Ai, sipas Kurtit, duhet të rishqyrtohet, të rishikohet dhe të riformatizohet. Vështirë që LDK do ta përqafonte këtë mendim të Kurtit. Nëse po, atëherë në realitet, për një kohë së paku, do të ndodhte bllokimi i bisedimeve në Bruksel, apo nuk do të dihej se çka do të ndodhte me këto bisedime.

Së dyti, edhe poqëse do të ndodhte farë mrekullie në bashkërenditjen e qëndrimeve të LDK-së dhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në çështjen e dialogut, do të ishte joreale të pritej që deputetët shqiptarë të PDK-së, AAK-së dhe të ‘Nismës për Socialdemokraci’, do të ishin përkrahës të këtij partneriteti në mes të LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’, të cilit megjithatë do t’i mungonin votat e mjaftueshme për të pasë mbështetjen e dy të tretave në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e një Marrëveshjeje eventuale në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Do të ishte në anën tjetër befasi nëse PDK, AAK dhe ‘Nisma për Socialmokraci’, nuk do t’ia kthenin me të njejtën ‘letër’ Qeverisë së prirë nga LDK, duke mëdyshur legjitimitetin politik për të bërë bisedimet me Beogradin dhe duke refuzuar që të bëhen pjesë e këtij dialogu.

Nuk është aspak e vështirë të supozohet se çfarë fuqie negociatore do ta kishte në Bruksel Qeveria e re e Kosovës në këtë rast, nëse kjo Qeveri do ta merrte përgjegjësinë e plotë për këtë dialog.

Më në fund, këtu nuk duhet harruar faktin që poqëse do të organizohen zgjedhjet e reja të përgjithshme në Kosovë, në muajtë e ardhshëm, do të ndodhë, si pasojë e pashmangshme, pezullimi i dialogut në Bruksel, në variantin më të mirë së paku deri në fillim të vitit 2019 (apo derisa të betohet Qeveria e re e Kosovës), duke njohur si adresë të vetme të përgjegjësisë për këtë pezullim Prishtinën zyrtare. Apo, në këtë mënyrë, do të humben muajtë që tani, nga pikëshimi aktual në Bruksel, Washington dhe Berlin, llogariten si vendimtarë për suksesin apo edhe dështimin e këtyre bisedimeve.

Tashmë dihet prej të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë që korniza kohore për arritjen e Marrëveshjes ligjësisht obligative njeh tetë muaj  (në variantin më të mirë), duke nisë numërimin nga tash. Nëse pjesa më e madhe e kësaj kohe do të harxhohet në Kosovë për zgjedhje të reja parlamentare, qysh tani mund të parashihet dështimi i tyre, me një përgjegjësi të qartë kosovare, për herë të parë qysh se zhvillohen bisedimet në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa kush nuk mund ta dijë në Bruksel dhe në BE, cili do të jetë Komisioni i ardhshëm evropian  (pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që do të mbahen vitin e ardhshëm), dhe sa do të jenë ai Komision dhe Përfaqësuesi i ri i lartë i BE-së  (apo trashëgimtari i Zonjës Mogherini), të interesuar të vazhdojnë lehtësimin/ ndërmjetësimin në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, në këtë mënyrë, ne, si politikë kosovare do t’ia ofronim justifikimin më të mirë të mundshëm për shfajësimin e tij për dështimin e këtyre bisedimeve, teksa po kuptohet përditë e më shumë që ai dhe politika zyrtare e Serbisë janë zënë ngusht me domosdoshmërinë e përmbylljes së këtyre bisedimeve dhe arritjen e një Marrëveshje ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënive në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Fatkeqësisht, kjo Analizë në masë të madhe është e sakt dhe e qëndrueshme, dhe atë mund ta bëjë secili që ka një njohuri fare mesatare për rrjedhat në Kosovë dhe për procesin e dialogut në Bruksel./Lajmi.net/