MAP nis fushatën e informimit të publikut për tri projektligje, synohet rritja e transparencës dhe llogaridhënies

Ministria e Administratës Publike sot ka  filluar fushatën e informimit dhe konsultimit të publikut për tri projektligjet e administratës publike: Projektligjin për Administratën Shtetërore, Projektligjin për Zyrtarët Publikë si dhe Projektligjin për Pagat.

Lajme

08/06/2018 10:18

Në ceremoninë  hapëse të kësaj fushate e cila do të zgjasë 15 ditë, kanë qenë të pranishëm zyrtarë institucional të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ndërkombëtarë.

Ministri Mahir Yagcilar, tha se me këto tri projektligje janë të një rëndësie të veçantë për modernizimin e administratës publike, që ndikon në përmirësimin e cilësisë së qytetarëve dhe në afrimin e Kosovës me BE-në.

“Sot po shënojnë një fazë qenësore në procesin vendimmarrës për miratimin e pakos ligjore të reformës së administratës publike, e që është përfshirja e qytetarëve në proces, jo vetëm për t’iu nënshtruar procesit demokratike por sepse këto tre ligje po bëhen që administrata publike të jetë në shërbim më të mirë ndaj qytetarëve”, tha ministri Yagcilar, transmeton lajmi.net.

Yagcilar teksa prezantoi projektligjet tha se këto do të ndikojnë në ngritjen profesionale të administratës publike dhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

“Projektligji për Administratën Shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të administratës publike dhe agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi. Qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe përformancen e tyre”.

“Ky ligj adreson problemin me mungesën e llogaridhënies brenda sistemit ministror, ku kemi pas situata që organet që janë nën ministri me ligjet e veçanta pa ndonjë kriter kanë vetë-përcaktuar statusin e tyre dhe të nëpunësve të tyre dhe në shumicën e rasteve kanë marrë  funksionet e vet ministrisë, që kanë të bëjnë me politikë-bërje. Po ashtu kemi një numër të madh të agjencive si në ekzekutiv ashtu edhe në Kuvend”.

“Ndërsa Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësim të zyrtarëve publik në institucione të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri. Ky ligj adreson problemin që kemi me fushëveprimin shumë të ngushtë të ligjit të shërbimit civil duke lejuar rregullim të veçantë te marrëdhënies së shërbimit civil me ligje të veçanta”.

“Projektligji për Pagat përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ky projektligj pritet të adresoj problemin me pagat e nëpunësve civil i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2010 mirëpo vlen vetëm për 18,000 nëpunësit civil, ndërsa të gjithë nëpunësit tjerë publik, rreth 80,000, paguhen sipas kritereve të përcaktuara nga një numër i madh i akteve nënligjore dhe vendimeve të Qeverisë”.

Besnik Tahiri, koordinator i Administratës Publike tha se është moment historike ajo çfarë është duke u bërë

“Kjo pako e ligjeve është duke ardhur me një moment tepër të rëndësishëm të Kosovës ajo çka ne po bëjmë me këto tri ligje është rregullimi në esencë raportin e institucioneve shtetërorë po e rregullojmë shërbimin civil dhe zyrtarin publik dhe në bazë meritore po i dhënë pagën. Pra parimi është puna e njëtë paga e njëjtë”, tha ai.

Visar Rushiti nga Demokracia Plus, tha se procesi për hartimin e tyre ka qenë gjithëpërfshirës.

Ai ka kujtuar se hartimi i këtyre projektligjeve ka qenë kërkesë e vazhdueshme që ka ardhur edhe nga BE përmes raportit të progresit.

Në këtë ngjarje ishte paralajmëruar edhe pjesëmarrja e kryeministrit Ramush Haradinaj, por kryeministri nuk ka qenë i pranishëm./Lajmi.net/

YouTube player