Ujësjellësi thotë se Komuna e Prishtinës i bëri keq punimet në vendosjen e gypit të ujit

Komuna e Prishtinës nuk po bashkëpunon me Kompanitë publike.

Lajme

24/05/2018 13:10

Mbi tetë orë banorët e rrugës “Fehmi Agani” në Qendër të Prishtinës dje nuk patën uji të pijes. Për vendosjen e gypit të ri të ujit, Komuna e Prishtinës e ndali furnizimin prej orës 8 të mëngjesit deri pas orës 16:00.

Por, për këtë ndërprerje nuk u konsultua me Kompaninë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, kompani kjo qe menaxhon me gypat dhe ujin në Prishtinë.

Për më tepër, Kryeshefit Ekzekutiv në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” Ilir Abdullahu, nuk po i pëlqen as si u kryen punët për vendosjen e tubit të ujit. Kanali për vendosjen e gypit nuk u hap sa duhet, e as në këtë rast Komuna nuk bashkpunoi me Ujësjellësin, shkruan lajmi.net.

“Jo, Komuna e Prishtinas nuk është konsultuar me Ujësjellësin rreth atyre punimeve. Është dashur që ndërprerja e ujit të bëhet në konsultim me ne, sepse ne jemi ata të cilët e kemi përgjegjësinë e ndaljes dhe furnizimit me uji të pijes”, tha Abdullahu për lajmi.net.

“Komuna nuk është konsultuar me ne as për zhvillimin e punimeve, ne dëshirojmë që ato të jenë kualitative, pasi ne do të përballemi me ta, me mirëmbajtjen e tyre, dhe nuk dëshirojmë që pas një kohe te kemi telashe Por, siç kemi parë, punimet nuk kanë shkuar ashtu siç duhet pasi ka cektira të shumta në vendosjen e gypave, pra vendi është shumë i cekët, jo i thellë sa duhet. Mund të ketë probleme edhe me ngrica, me kyçje dhe gjera tjera”, tha tutje Kryeshefi Ekzekutiv i Ujësjellësit.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës gjatë ditës së martë njoftoi se “Pas investimeve të bëra në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën “Fehmi Agani”, është koha për kyçjen e gypit të ri në sistem të ujësjellësit. Si rrjedhojë, dje kishte ndërprerje të furnizimit me ujë për këtë lagje në intervalin kohor 08:00 – 16:00”.

Më poshtë mund të shihni disa fotografi gjatë punimeve për vendosjen e këtij gypi. /Lajmi.net/

222