Çfarë parashikon marrëveshja bërthamore me Iranin?
Mësoni se çfarë parashikon marrëveshja bërthamore me Iranin, si dhe skenarët e mundshëm pas largimit të SHBA’së.
Bota
Marrëveshja është arritur me 14 korrik të 2015 në Vjenë dhe është firmosur në Teheran nga vendet e ashtuquajtura 5+1, anëtarët e Këshillit të Sigurisë së OKB’së me fuqinë e vetos – Mbretëria e Bashkuar, Franca, SHBA, Rusia dhe Kina – plus Gjermaninë. Pika kryesore e akordit është eliminimi i sanksioneve ekonomike dhe financiare të vendosura ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor.
Vendet perëndimore kanë premtuar të eliminojnë në mënyrë të vazhdueshme sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Iranit në vitet e fundit.
Në këmbim Irani ka pranuar që të limitojë programin e tij bërthamor dhe të lejojë kontrolle periodike nga ana e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike “IAEA” në instalacionet e veta bërthamore, të cilat Irani thotë se i përdor për qëllime civile dhe jo ushtarake, siç pretendon perëndimi. Me rrugën e hapur nga Teherani, kjo agjenci ka marrë lejen që të bëjë inspektime edhe në zonat ushtarake. Irani ndër të tjera ka pranuar dhe një moratorium prej 15 vitesh në pasurimin e uraniumit sipër 3.67% dhe reduktimin e numrit të centrifugave prej të cilave nxirret një pjesë e uraniumit natyral.
Marrëveshja parashikon edhe modifikimin e reaktorit të ujit të rëndë të Arak, kështu që nuk mund të prodhohet plutoni i nevojshëm për të ndërtuar bombë atomike.
Për pesë vite nga firmosja e akordit në Vjenë, mbetet në fuqi embargoja e OKB’së për armët dhe prej 8 vitesh ajo për raketat balistike.
Në rast se do të dekretohet largimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja, pasojat për Iranin nuk do të ishin të pakta.
Impakti për ekonominë iraniane mund të jetë shumë i rëndësishëm pasi Kongresi amerikan do të rivendoste sanksionet. Nuk përfshihet dhe dekretimi i një embargoje për eksportimet iraniane të naftës. Një skenar i cili, në kohë të mesme dhe të gjatë, do të çonte në thellimin e krizës në tregjet e karburantëve. E gjithë kjo do të rrisë tensionet në Lindjen e Mesme. Analistët shprehen se ka shumë gjasa që kjo të nxisë dhe një garë mes shumë vendeve për të përshpejtuar programin e tyre bërthamor.