Diplomacia “jounike” e Kosovës

Politika e jashtme e Kosovës po reflekton disa ndasi në qëndrime rreth çështjeve të ndryshme, të cilat sipas analistëve politikë, mund të sjellin pasoja të mëdha për vendin.

Lajme

08/05/2018 18:33

Analisti Imer Mushkolaj, thotë se çështjet shtetërore duhet të jenë unifikuese, në mënyrë institucionale dhe jo në mënyrë personale.

“Politika e jashtme e vendit dhe në përgjithësi institucionet, për fat të keq kanë vuajtur nga mungesa e koordinimit në raste të caktuara, qoftë kur bëhet fjalë për numrin e njohjeve, qoftë qasjen institucionaliste që vendi duhet ta ketë. Shumë nga çështjet janë trajtuar më shumë në rrafshin personal sesa në rrafshin institucional. Natyrisht se kjo është e dëmshme për vendin dhe nuk duhet të ndodhte kështu”, tha Mushkolaj.

Një shembull i mungesës së qëndrimeve unike dhe harmonizimeve në politikën e jashtme është vërejtur këto ditë, kur shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli mori pjesë në një konferencë ministrore të vendeve të Organizatës se Bashkëpunimit Islamik, të mbajtur në Bangladesh.

Një nga tri objektivat e pjesëmarrjes në këtë konferencë, sipas Pacollit ishte edhe “aplikimi i Kosovës për statusin e vendit vëzhgues në këtë organizatë”.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, ka paralajmëruar dorëheqje të parevokueshme, nëse Kosova anëtarësohet në këtë organizatë, siç tha ai, pa një debat në Kuvendin e Kosovës dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Dedaj tha se kjo nuk ka të bëjë me kundërshtimin e politikës së ministrit Pacolli, apo për çfarëdo polemike tjetër ndërfetare në Kosovë, por që sipas tij, agjenda kryesore në Kosovë është miqësia dhe partneriteti me SHBA-në, anëtarësimi në NATO dhe integrimi sa më parë në Bashkimin Evropian.

“Unë si zëvendësministër i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës mbetem ithtar i respektimit të agjendave dhe prioriteteve të Kosovës. Dhe për ne, agjendë, prioritet është anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, NATO, INTERPOL, UNESCO dhe në të gjitha institucionet tjera të cilat nuk kanë premisa prefikse apo fikse, qofshin ato islamike apo krishtere. Sepse, Kosova nuk e ka atë luks për shkak të përbërjes dhe strukturës konfesionale në Kosovë, që t’i vëmë agjendat para anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, tha Dedaj.

Në anën tjetër, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e tilla kontradiktore nuk sjellin efekte pozitive në ecjen përpara të shtet-bërjes së Kosovës dhe njohjes së saj në arenën ndërkombëtare.

“Kjo tregon më se miri se sa ka koordinim në institucionet relevante. Në konferencën e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik ka mysafirë edhe nga vendet tjera të botës dhe nuk duhet të shikohet me një sy kritik”.

“Ka vende që e kanë njohur Kosovën dhe Kosovës i nevojitet bashkëpunim edhe më këtë organizatë. Kjo nuk do të thotë integrim në të, por për të kërkuar mbështetjen e kësaj organizate”, theksoi Ujkani.

Ndërkaq, Imer Mushkolaj, thotë se deklaratat, siç ishin ato të zëvendësministrit Dedaj, mund të përcillen me efekte të dëmshme për Kosovën në planin e jashtëm. Sipas tij, Kosova si shtet duhet ta përcaktojë qartë në politikën e jashtme se në cilat organizata do të duhej të anëtarësohet dhe në cilat jo.

“Në anën tjetër duhet parë interesin nëse anëtarësimi në ndonjë organizatë që mund të mos jetë e orientuar kah vlerat euro-atlantike mund t’i sjell dobi vendit, në kuptimin e njohjeve dhe në kuptimin e bashkëpunimit. Tek e fundit Kosova nuk mund të funksionojë e izoluar. Bashkëpunimi më çfarëdo organizate që mund t’i sjell dobi vendit duhet të jetë i mirëseardhur”, tha Mushkolaj.

Edhe në të kaluarën, janë vërejtur disa paqartësi te politika e jashtme e Kosovës dhe numri i njohjeve ndërkombëtare. Deri vonë, institucionet e ndryshme prezantonin shifra të ndryshme rreth numrit të njohjeve. Por, tash për tash, kjo çështje është tejkaluar.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, thuhet se “Republika e Kosovës ka siguruar 116 njohje” dhe se “njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës do të mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme”.