Zyrtarët e AKPPM-së kërkojnë pafajësinë në Apel për akuzat se lejuan në treg barnat e Kinës

Për herë të dytë brenda pak muajsh, zyrtarët e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi dhe Bersan Kolgeci si dhe biznesmeni Edon Hajrullaga, i janë drejtuar me ankesa Gjykatës së Apelit, duke kërkuar nga kjo e fundit që t’i lirojë nga të gjitha akuzat.

Lajme

04/05/2018 14:11

Kjo, pasi që Apeli në dhjetor të vitit të kaluar, e kishte anuluar njëherë aktgjykimin e shkallës së parë me të cilën të akuzuarit ishin shpallur fajtorë, mirëpo, në shkurt të këtij viti, shkalla e parë ka shqiptuar sërish dënime të njëjta për të akuzuarit.

Përjashtim bënë vetëm Haki Ejupi, i cili në gjykimin e parë ishte shpall fajtor dhe dënuar me pesë muaj burgim, mirëpo, pas kthimit të rastit në rigjykim, ai është liruar nga akuzat.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt të këtij vitit, Ilir Dushin dhe Bersan Kolgecin i ka shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve u ka shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh për secilin.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Edon Hajrullaga është shpallur fajtor për veprën penale “prodhim i ndaluar” dhe është dënuar nga shkalla e parë me gjobë në lartësi prej 10.000 euro.

Ndaj këtyre dënimeve të shqiptuara nga shkalla e parë, ankesë në gjykatën e shkallës së dytë kanë paraqitur mbrojtësit e të akuzuarve, kurse prokuroria nuk është ankuar.

Mbrojtësi i Ilir Dushit, avokati Nikë Shala, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit tha se, gjykata e shkallës së parë në rigjykim, nuk ka zbatuar fare udhëzimet të cilat i kishte dhënë Apeli në aktvendimin me të cilin e kishte kthyer rastin në rigjykim.

“Në rigjykim, shkalla e parë ka përsëritur sërish gabimet e njëjta që Apeli i ka evidentuar në aktvendimin e vet, pra aktgjykimi thuajse është i përsëritur. Apeli e ka udhëzuar shkallën e parë që për këtë rast të bej edhe dy ekspertiza, një nga fusha e kimisë e tjera nga fusha e farmacisë por nuk janë bërë ato”, tha në fjalën e tij avokati Shala.

Shala e quajti të pakuptimtë faktin se si i mbrojturi i tij, i cili siç tha mbrojtësi, nuk e ka nënshkruar rekomandimin i cili përmendet në aktakuzë, është dënuar, kurse personi që e ka nënshkruar të njëjtin është liruar, duke aluduar kështu në Haki Ejupin i cili ishte shpall i pafajshëm pas rigjykimit.

“Mu më vjen mirë që zotëri Ejupi është liruar nga akuza, por, siç e ka thënë edhe vet zotëri Ejupi, Ilir Dushi e ka thirr në telefon dhe i ka thënë që rekomandimi nuk bën të nënshkruhet mirëpo i njëjti rekomandim është nënshkruar. Tash personi që ka thënë të mos nënshkruhet rekomandimi dhe që nuk e ka nënshkruar rekomandimin, dënohet nga gjykata. Kjo është nonsens”, deklaroi Shala.

Për fund, Shala tha se tek i mbrojturi i tij nuk ka pas kurrfarë tejkalimi të kompetencave e as përftim, kështu që, në mungesë të provave propozoi që i akuzuari Dushi të lirohet nga akuza.

Lirimin nga akuza për të mbrojturin e tij, Bersan Kolgeci, e kërkoi edhe avokati Muhamet Shala.

Sipas Shalës, tek i mbrojturi i tij nuk përmbushen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas tij, tejkalimi i kompetencave dhe keqpërdorim i tyre mund të bëhet vetëm nga zyrtarë që kanë pasur kompetenca të caktuara në lidhje me rastin, mirëpo, sipas Shalës, një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodhë nga i mbrojturi i tij pasi i njëjti ka pas kompetencë vetëm që të jep udhëzime dhe rekomandime.

Edhe avokati Muhamet Shala, e potencoi faktin se shkalla e parë nuk i është përmbajtur udhëzimeve të dhëna nga Apeli kur rasti është kthyer në rigjykim, pasi e njëjta nuk ka kryer ekspertizat për të cilat ishte udhëzuar nga Apeli.

Mos përmbushjen e elementeve të veprës penale për të mbrojturin e tij dhe mos zbatimin e udhëzimeve të Apelit nga shkalla e parë, i ka cekur në ankesën e tij, edhe avokati Skënder Musa, i cili në këtë çështje përfaqëson të akuzuarin Edon Hajrullaga.

Sipas ankesës së avokatit Musa, i mbrojturi i tij ka pas leje për prodhim, mirëpo në ndërkohë i është kërkuar që të plotësohet edhe një kusht tjetër e të cilin i akuzuari Hajrullaga nuk e kishte pasur, mirëpo sipas Musës, një gjë e tillë nuk nënkupton se nuk ka pas leje për prodhim i mbrojturi i tij.

Prandaj, mbrojtja e Hajrullagës i ka propozuar kolegjit të Apelit, që në mungesë të provave të lirojë nga akuza të njëjtin.

Ky gjykim ishte zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e krye shefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.

Këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale. Kështu këtij subjekti, i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm” ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP)./betimiperdrejtesi.com