Këndvështrimet për Kosovën – zërat nga Prishtina dhe Brukseli

Kosova arriti pavarësinë e saj para një dekade, në vitin 2008. Tani rrugëton drejt anëtarësimit në BE.

Lajme

04/04/2018 15:04

Qëllimi ynë është të japim një perspektiv të dyanshme mbi gjendjen aktuale të Kosovës dhe për rrugën së saj drejt BE-së.

E kemi konsideruar si interesante dhe e vlefshme që të shohim anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në BE nga dy këndvështrime të ndryshme: Prishtina dhe Brukseli, ku në njërën anë theksi vihet më shumë në atë se çfarë do duhej të bëjë BE-ja, ndërsa nga ana tjetër Brukseli vë theksin në përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës për rrugën që duhet ndjekur më tutje.

Këndvështrimi nga Prishtina vjen nga Bekim Çollaku, Shef i Stafit të Presidentit të Kosovës, dhe ish-ministër për Integrime Evropiane, kurse këndvështrimi nga Brukseli vjen nga Antonia Battaglia, studiuese në Qendrën për Teori Politike në Universitetin ULB në Bruksel.

Prishtina

Kosova si pjesë përbërëse e mozaikut që përbënë Ballkanin Perëndimor, duhet të trajtohet si e barabartë me pesë partnerët e tjerë në rajon në kuadër të planeve të Bashkimit Evropian për zgjerim në këtë rajon të Evropës që nuk është pjesë e BE-së.

Strategjia e Komisionit Evropian bënë dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Disa prej tyre trajtohen si më të avancuara, dhe kësisoj u jepen objektiva më konkrete të anëtarësimit deri në vitin 2025, ndërsa të tjerëve nuk u jepen as hapat e saktë.

Megjithatë, perspektiva e aderimit në BE është e fuqishme për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të ishte e gabueshme të lejohet që kjo paqartësi në tekst të kufizoj konkretisht Kosovën dhe integrimin e saj në BE.

BE-ja e kupton që lënia pas dore e Kosovës do të ishte një gabim serioz strategjik. Qasja e tillë me të vërtet do të përkeqësonte gjendjen politike dhe ekonomike në Kosovë dhe rrjedhimisht në të gjithë rajonin.

Strategjia për Ballkanin Perëndimor thekson fuqimisht domosdoshmërinë e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve bilaterale para anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, që kjo të bëhet e mundshme, duhet që të gjitha 28 shtetet anëtare të BE-së të ritheksojnë se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gëzojnë perspektivë evropiane.

Fatkeqësisht, Këshilli i BE-së tashmë ka konfirmuar se tema e zgjerimit nuk do të jetë temë e diskutimit në samitin e Sofjes, që do të mbahet në muajin maj, e kjo është një mundësi e humbur.

Sa i përket mosmarrëveshjes bilaterale me Serbinë, si Kosova ashtu edhe Serbia janë të përkushtuara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Por që të dyja i kanë dhënë besimin BE-së që të jetë ndërmjetësues i këtij dialogu për shkak të premtimit se zgjidhja e çështjeve mes dy shteteve do të mundësoj anëtarësimin në BE. Nuk ka alternativ tjetër përveç dialogut dhe është e vështirë të theksohet sa duhet rëndësia e tij.

Ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë më 26 mars 2018 ku një zyrtar i shtetit të Serbisë hyri në Kosovë ilegalisht dhe në kundërshtim me procedurat e dakorduara reciprokisht dhe i cili më pas u arrestua nga policia e Kosovës, e dëshmon se sa i brishtë është stabiliteti në terren dhe se si gjërat mund të përshkallëzohen për të keq.

Siguria dhe stabiliteti në Evropë në masë të madhe varen nga aftësia për ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.

BE-ja ka një historik të varfër sa i përket parandalimit të konfliktit dhe ruajtjes së paqes në rajon.

Mesazhi duhet të jetë i qartë: të gjitha mosmarrëveshjet bilaterale, përfshirë edhe ato mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të zgjidhen para anëtarësimit në BE.

Vetëm kjo mund ta bëjë samitin e Sofjes si momentin ku perspektiva e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor bëhet reale.

Brukseli

Strategjia ambicioze e përcaktuar nga Komisioni Evropian për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ka theksuar se Kosova ende ka punë për të bërë para se t’i plotësojë kërkesat për procesin e anëtarësimit.

Kjo bën thirrje për reforma të thella dhe të qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjes së mirë si dhe respektimit të të drejtave themelore. Për më tepër, duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet kufitare përpara se të zhvillohet ndonjë bisede për anëtarësim.

Rruga për në Evropë ka ndalimin e saj të radhës dhe që është më i rëndësishmi i cili mbahet në Sofje më 17 maj, pra samiti për Ballkanin Perëndimor i cili do të paraqet mundësinë për të thelluar zotimet e ndërsjella, për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe avancuar angazhimin e ndërsjellë për sigurinë, migrimin dhe mbi të gjitha, për konektivitetin e ndërsjellë.

Por, nëse strategjia ka për qëllim që të orientoj Kosovën drejt të ardhmes, bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më qartë me një rrugë të detajuar drejt anëtarësimit në BE, duke ndërtuar partneritet efektiv dhe duke favorizuar pjesëmarrjen e institucioneve vendore në diskutimet përkatëse të politikave të BE-së.

Kosova duhet të ‘rritet’ brenda Evropës.

Siç edhe u dëshmua në ngjarjet e fundit, Kosova ka ende një baraspeshe shumë delikate ku çdo veprim që lidhet me dialogun me Beogradin mund të bëhet pengesë për marrëveshjet e paqes.

Kosova duhet të zhvishet nga pasiguria që lidhet me statusin e saj dhe nëse perspektiva evropiane dëshiron të jetë e suksesshme, ajo duhet të arrij pjekurinë nëpërmjet fuqizimit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Një marrëdhënie reale.

Integrimi i serbëve që jetojnë në veri dhe forcimi i pozitës së tyre brenda institucioneve të Kosovës duhet të bëhet pa kushte edhe pavarësisht asaj që ndodh në Beograd.

Vazhdimi i kushtëzimit të ndërsjellë të së ardhmes së Kosovës dhe Serbisë rrit presionin dhe e ngarkon më tej situatën e vështirë të brendshme.

Udhëheqësit e Kosovës, në të njëjtën kohë, duhet të bëhen ambicioz, të guximshëm, t`i përvjelin mëngët më shumë se kurrë në realizimin e reformave për luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit, për ndryshime sociale si dhe për investime në ekonomi dhe arsim.

BE-ja duhet të përballet me çështjen e liberalizimit të vizave dhe me çështjen e statusit.

Spanja (së bashku me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron), duke mos qenë gati të njohin statusin e Kosovës, po bëjnë një gabim të madh politik i cili flet shume për të kaluarën, por që nuk mund të gjej vend në një perspektivë të gjerë evropiane.

Popullsia e Kataloniës nuk ka pasur luftë dhe rasti i Kosovës asnjëherë nuk mund të krahasohet me gjendjen aktuale politike të brendshme të Spanjës.

Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker deklaroi se Ballkani Perëndimor beson në Evropë më shumë se ‘ne’ (ata që tashmë jemi ‘evropian’ me pasaportë). Kjo është e vërtetë.

Sakrifikimi i përparimit real për të ruajtur një stabilitet të jashtëm (të brishtë) në rajon ka dëshmuar të jetë joefektiv. Kosova ka nevojë për një të ardhme të re.

Dhe Evropa ka nevojë për një Kosovë të fortë.

Bekim Çollaku është Shef i stafit të Presidentit të Kosovës dhe ish-Ministër për Integrim në BE. Antonia Battaglia ka qene zyrtare e OKB-së në Kosovë dhe është studiuese në Qendrën për Teori Politike në Universitetin ULB në Bruksel, autore e një libri për Kosovën dhe shkruan për Balkan Insight