Plani serb për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës
S’do mend se situata e krijuar në Veri të Kosovës me rastin e përdorimit të një njësiti special të Policisë së Kosovës për arrestimin e zyrtarit të lartë serb, Marko Gjuriq, si duket nuk do të mbaroj me kaq. Paralajmërimet serbe për “domosdonë” e formësimit të Asociacionit të Komunave Serbe në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, vetëm se do të komplikoj edhe më tepër marrëdhëniet Kosovaro-Serbe.
Lajme
Mendoj se pas kësaj situate Beogradi zyrtar do të shkoj më tutje në kuptim të fillimit të përgatitjeve për shkëputjen e Veriut të Kosovës me forcë, përkatësisht me aneksimin e kësaj pjese dhe bashkëngjitjes së Serbisë.
Nëse vetëm sipërfaqësisht e bëjmë një analizë të ngjarjeve dhe veprimeve të deritanishme serbe atje që pas përfundimit të luftës e deri në ditët e sotit, atëherë lirisht mund të themi se ato përputhen me disa metoda të avancuara të luftës speciale e që ishin dhe mbetën të pranishme në vazhdimësi. Kjo luftë speciale gërshetonte forca dhe mjete të veçanta të shërbimit inteligjent serb e që patën detyra të veçanta për të përgatitur terrenin që në fazën e parë të bëjnë përgatitjen për shkëputjen e kësaj pjese të territorit të Kosovës.
Nese ky konstatim analizohet diç më detajisht, atëherë vijmë ne konkludim se në fazën e dytë, siç thamë, pas ngjarjeve të këtyre ditëve, Beogradi zyrtar mund të i përdor forcat e caktuara ushtarake e të xhandarmërisë serbe ashtu siç deklaroi presidenti serb Vuçiq se “Isha duke menduar të dërgoj ushtrinë dhe policinë në pjesën veriore”. Jam i prirë te mendoj se kjo situatë edhe mund të ndodhë. Aq më parë që një përkrahje ruse në këtë drejtim, jo vetëm në suaza verbale, i është premtuar Vuçiqit bazuar në metodën e Krimesë ku Veriu i Kosovës do t’i bashkëngjitej Serbisë.
Edhe pse tërheqja e paraleles në mes të Kosovës dhe Ukrainës nuk do të ishte e qëlluar sidomos në aspektin kontekstual e politk – marrë parasysh dallimet në aspektin politik dhe gjeostrategjik – instrumentet megjithatë që janë përdorur atje mund të aplikohen në rastin e Kosovës. Me një fjalë, Beogradi zyrtar mendon që ketë pjesë ta merr me detashimin dhe desantimin e “rrufeshëm” të forcave dhe mjeteve në pozicione të rëndësishme orografike-topografike dhe drejtime të caktuara të Veriut, e më pas të i dërgojë përforcimet e duhura si dhe logjistikën e nevojshme. Situatën për aneksim e bën edhe më të volitshme dëgjueshmëria e atjeshme qytetare ndaj këtij pretendimi të Vuçiqit, lojaliteti i vazhdueshëm ndaj Beogradit zyrtarë i një pjese të Policisë së Kosovës, e cila është e përqendruar dhe vepron atje.
Sidoqoftë është më se e qartë se plani rus për depërtim në rajonin e Ballkanit nëpërmjet Serbisë tanimë po bëhet gjithnjë më i realizueshëm. Në këtë kuadër, ndarja e Kosovës, përkatësisht tentimi serb për aneksimin e veriut të saj po bëhet gjithnjë e më i qartë.
Në këtë situatë, kujtoj se është më se e nevojshme dislokimi i njësiteve të caktuara të KFOR-it të cilët do të ishin në gatishmëri vepruese në rast se ky plan serb fillon së zbatuari. Nëse në planin diplomatik serbët një tendencë të tillë do ta mohonin, kjo nuk do të thotë se do të zmbrapsen nga plani i tyre në praktikë. Gatishëmria vepruese jo vetëm në Policinë e Kosovës në jug të lumit Ibër, duhet të analizohet por edhe në njësitet policore të cilat mund të kontribuojnë në mbrojtje të pjesës veriore dhe për kundërvenie eventuale.
Rol të rëndësishëm në këtë proces ka Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e cila duhet të jetë vigjilente në funksion të mbledhjes dhe procesimit të informacioneve të cilat do të ishin tejet të rëndësishme me qëllim të parandalimit të këtij skenari. Pa rol në këtë drejtim nuk duhet të parë as Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila pavarësisht mandatit të saj të kufizuar, ajo duhet të jetë në gatishmëri për mbështetje të Policisë dhe kryerje eventuale të detyrave ushtarake vetmbrojtëse.