Kush është MIT-i, agjencia turke me 8 mijë pjesëtarë që kapi 6 gylenistët në Kosovë?

Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan komentoi sot për herë të parë deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, të kërkuar nga drejtësia turke si bashkëpunëtor të organizatës FETO të cilën Ankaraja zyrtare e akuzon për puçin e dështuar ushtarak të para dy vjetësh.

Lajme

30/03/2018 17:04

“Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës kapën gjashtë përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ia dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu me lejen e Zotit kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, tha presidenti Erdogan sot.

Pra Erdogan konfirmoi se operacioni është kryer nga dy agjencitë respektive të Inteligjencës, shkruan lajmi.net.

Por çka përfaqëson dhe kush janë njerëzit kryesor të Shërbimit Inteligjent turk të njohur ndryshe edhe si MIT (Milli Istihbarat Teshkilat).

MIT llogaritet si njëra nga agjencitë më të fuqishme të spiunazhit në botë. Kjo organizatë i ka të punësuar mbi 8 mijë agjentë, kurse është themeluar në vitin 1965, shkruan lajmi.net.

Emri i drejtorit të MIT-it mbahet i fshehur dhe publikisht shumë pak njerëz e dinë kush është ai. Kjo Agjenci publikisht drejtohet nga Hakan Fidan, i emëruar si nënsekretar.

Buxheti i MIT-it për vitin 2018 është mbi 1 miliard e 300 milionë lira ose afërisht 270 milionë euro.

Selia kryesore është në Ankara. /Lajmi.net/