Tensione në horizont, në rast se Kosova nuk përfshihet në strategjinë e BE-së

Brenda një jave, Komisioni Evropian do të bëjë publike strategjinë e paralajmëruar për Ballkanin Perëndimor. Ky është një hap i ri i rëndësishëm për BE-në, i cili ka nxitur shpresë, por edhe hidhërim pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, të cilat aspirojnë t’i bashkohen BE-së. Viti 2018 mund të jetë vendimtar për marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Lajme

02/02/2018 14:13

Përveç aprovimit të Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, presidenca e BE-së, e udhëhequr nga Bullgaria, e ka vënë Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet e saj. Ne jemi optimist, sepse të gjithë vijmë nga i njëjti rajon dhe pak a shumë kemi aspirata të njëjta ndaj BE-së, prandaj duam të shohim hapin e ardhshëm në rrugën tonë evropiane duke dhënë rezultate.

Megjithëkëtë, në të njëjtën kohë ne jemi të shqetësuar, sepse konsiderojmë së është thelbësore që ne të trajtohemi në mënyrë të barabartë në kuadër të strategjisë dhe të na ofrohet e njëjta perspektivë. Çdo diskutim për shtetet që prijnë, pashmangshëm i bën të tjerat të mbetura mbrapa. Ne e dimë që sa më e fuqishme të jetë perspektiva e BE-së, aq më shumë do të ketë pranueshmëri në vendet tona për të shtyrë përpara reformat politike, ekonomike dhe sociale, të cilat janë të domosdoshme por jo edhe aq populiste. Në rast se Komisioni Evropian dëshiron të shohë përpjekje serioze për reforma në rajonin tonë, atëherë duhet që të sigurojë një perspektivë të fuqishme dhe të përbashkët për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Deri më tani, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë trajtuar si një rajon i vetëm. Të gjitha vendet kanë Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit me BE-në, dhe të gjitha janë të përfshira edhe në marrëveshjeje të tregtisë së lirë. Disa nga vendet e kanë statusin e kandidatit për anëtarësim, të tjerat janë kandidate potenciale, por e rëndësishme është që të gjithave iu është ofruar shansi i barabartë për anëtarësim në samitin e Selanikut në vitin 2003. Presidenca e BE-së, e udhëhequr nga Bullgaria, ka marrë përsipër organizimin e samitit të parë për Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e 28 shteteve anëtare, që pritet të mbahet 15 vjet pas samitit të Selanikut. Prandaj, është vendimtare që Strategjia e Komisionit Evropian dhe Samiti i Sofjes, të ofrojnë perspektivën e njëjtë të anëtarësimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Njësoj sikur ishte simbolik zgjerimi i vitit 2004 me anëtarësimin në bllok të shteteve ish komuniste të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, ashtu do të ishte edhe zgjerimi i BE-së me anëtarësimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shtetet që ka qenë armiq të ashpër me njëri tjetrin vetëm 20 vite më parë, janë të gatshme t’ia lenë këto probleme të së kaluarës. Qëllimi është që të mos lejohet bartja e ndonjë çështje të komplikuar politike brenda unionit në kohën kur të ndodh anëtarësimi. Dhe mënyra më e mirë për të arritur një gjë të tillë është që anëtarësimi të ndodh në të njëjtën kohë dhe në bllok.

Përpjekjet për të integruar rajonin përpara anëtarësimit në BE janë duke vazhduar me qëllim që të gjashtë ekonomitë respektive të përgatitën për t’i rezistuar presionit kur të bëhen një nga 33 anëtarët e BE-së. Ashtu sikur jemi dëshmitarë të vështirësive në punën e Zonës Ekonomike Rajonale, pengesat strukturore dhe politike për integrimin e mëtejmë janë mjaft të përhapura dhe serioze. Rruga e vetme nëpërmjet së cilës ne do të mund t’i zgjidhim problemet tona dhe vërtetë të përqafojmë konceptin e marrëdhënieve të mirë fqinjësore, është një perspektivë e përbashkët për antarësim në BE, në kuadër të së cilës fatet tona janë të lidhura më njëri-tjetrin. BE-ja duhet të mësojë nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe nuk duhet të lejojë një shtet që të anëtarësohet dhe pastaj t’i mundësojë atij shteti që të bllokojë anëtarësimet tjera vetëm për shkak të armiqësive politike.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të futet në fazën përfundimtare dhe nuk ka pritje tjetër të mundshme përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Natyrisht, do të duhet të bëhen kompromise nga të dy shtetet me qëllim që të  arrihet marrëveshja historike për paqe dhe pajtim. Në të njëjtën kohë, nuk mund të mendohet se do të mund të vazhdohet me të njëjtën status quo duke pasur pesë shtete anëtare të BE-së, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës vetëm për shkak se Serbia refuzon ta njehë realitetin faktik dhe të shkëputet nga e kaluara. Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në BE në rast se nuk i normalizon marrëdhëniet me Serbinë. Ndërsa BE-ja deri më tani ka marrë vendime të mençura duke vendosur kushtëzim të veçantë për anëtarësimin e Serbisë në BE vetëm pas normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Kosova është tërësisht e përkushtuar për zbatimin në mirëbesim të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, duke përfshirë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Homologët tanë nga Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura për energjinë dhe njohjen e diplomave dhe t’u japin fund përpjekjeve të tyre për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç është UNESKO dhe INTERPOL.

Me qëllim që të sigurohet stabiliteti, paqja dhe zhvillimi politik dhe ekonomik i shteteve të Ballkanit perëndimor, BE-ja duhet të sigurojë jo vetëm një qartësi të perspektives evropiane për Ballkanin perëndimor, por edhe qasje të barabartë për të gjithë. Kjo strategji duhet të jetë politike dhe jo vetëm një dokument veçse teknik. Nëse një perspektivë e qartë për anëtarësim në BE do t’iu ofrohet në mënyrë të barabartë të gjithëve, kjo do t’i ndihmonte të gjashtë vendet që t’i tejkalojnë problemet serioze bilaterale, në të kundërtën, ajo vetëm sa mund t’i ngrit tensionet në rajon, në rast se disa shtete do të ecin përpara, ndërsa të tjerat do të lihen mbrapa.

Bekim Çollaku është ish-ministër për Integrim Evropian i Kosovës dhe tani është Shef i Stafit të Presidentit të Kosovës

Ky shkrim është botuar në gazetën evropiane “EUobserver”