Arkitekti Valdet Osmani komenton taksën (1€/m2) për legalizim të ndërtimeve pa leje

Të gjithë ata që do të aplikojnë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, të kategorisë së parë dhe të dytë, do të paguajnë një taksë prej 1 euro për metër katror. Kjo taksë është e paraparë në Projektligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, i cili është miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, në seancën e së enjtes.

Lajme

27/01/2018 13:55

Që kjo taksë të ketë çmimi 1 euro është vendosur si rezultat i lobimit dhe avokimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe përmes Kolegjiumit për Planifikim Hapësinor, ku në këtë projektligj janë inkorporuar edhe rekomandimet dhe kërkesat e komunave.

Sipas ligjit të kaluar, i cili ishte në fuqi deri në shkurt të vitit të kaluar, taksa për legalizim ka qenë 100 euro për objekt, pavarësisht sa metra katror është ai.

Ndryshimin e kësaj takse për Ndërtimi.info e ka komentuar arkitekti Valdet Osmani.

Derisa ka thënë se kjo taksë është e nevojshme dhe e përballueshme, Osmani ka potencuar se janë të panevojshme disa dokumente që më parë janë kërkuar për legalizim, e të cilat me sipas tij tani duhet të largohen.

“Është e nevojshme për shkak që të mbulohen shpenzimet e administratës së komunës. Nuk është kosto e madhe, e pa përballueshme. Mirëpo, projektet  i kanë kërkuara kot përpara. Objekti i përfunduar nuk mundesh të kërkosh projekt, mund të kërkosh projekt përfundues, jashtë. Për objektet papërfunduar duhet të ketë, për shembull i ka vetëm shtyllat jashtë e duhet me pas. Për objektet e përfunduara  dërgon fotografi dhe matje gjeodezike”, ka thënë ai.

Në kategoritë e ndërtimeve për të cilat do të paguhet kjo taksë prej 1 euro janë ato me rrezikshmëri të ulët, të cilat përfshihen në kategorinë e parë dhe ato me rrezikshmëri të mesëm, që përfshihen në kategorinë e dytë të ndërtimeve.

Ndërkaq, se në Kosovë janë evidentuar mbi 350.000 ndërtime pa leje kurse për shkak të ligjit të deritanishëm për legalizim në tërë komunat e Kosovës deri në qershor të vitit 2017, sa ishte afati aplikimit për legalizim,  nuk kanë aplikuar as 5% e tyre.