Itali, kapen 885 kg marijuanë dhe dy skafistë nga Vlora

Një gomone që po drejtohej drejt brigjeve të Garganos pasditen e së enjtes është kapur nga forcat e mbikëqyrjes ajrore të “Fiamme Gialle”, të impenjuara edhe në operacionin “Triton 2017” të agjencisë europiane “Frontex”.

Lajme

26/01/2018 20:59

Trafikantët, pasi kishin pikasur njësitë policore hodhën një pjesë të drogës në det dhe më pas e braktisën gomonen në plazh, duke u arratisur duke përfituar nga errësira.

Forcat italiane gjetën në gomone një sasi të konsiderueshme marijuane, ndërsa skafistët arritën t’i identifikonin e t’i kapnin më pas me rroba ende të lagura, të fshehur në një vilë pranë vendit të arratisjes.

Gomonja ishte rreth 9 metra e gjatë, me dy motorë të fuqishëm oqeanikë, e tashmë rezulton e sekuestruar në Portin e Viestes.

Skafistët janë të dy shqiptarë nga Vlora, K.B. 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë. Ata akuzohen tashmë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, e pritet të dalin përpara autoriteteve të drejtësisë.

Marijuana e sekuestruar, një pjesë e së cilës është rikuperuar nga sipërfaqja e ujërave, ishte futur në 55 pako të përmasave të ndryshme, me një peshë totale prej 885 kg, që në rast se do të përfundonte në tregun e zi do të kapte shifrën e 8 milionë eurove.