Trump në Davos: SHBA është rigjallëruar
Presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë liderëve politikë dhe atyre të biznesit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, se Shtetet e Bashkuara janë rigjallëruar dhe janë “të hapura për biznes”.

Bota
“Amerika është e hapur për biznes dhe ne jemi konkurues sërish”, ka thënë ai gjatë fjalimit, i cili ka ardhur një vit pasi ai ka marrë pozitën si president dhe duke përmendur agjendën e tij “Amerika e Para”.
“Kurrë nuk ka qenë kohë më e mirë për të ndërtuar, investuar dhe rritur Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.
Trump ka thënë se një Amerikë e begatë është e mirë për botën.
Duke u kthyer në çështjet gjeopolitike, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u bëjnë thirrje partnerëve të “bllokojnë rrugën e Iranit” drejt zhvillimit të armëve bërthamore.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të sigurohen se Afganistani nuk do të jetë “më kurrë” strehë për terroristët dhe se lufta kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik nuk ka përfunduar ende.
Duke përmendur ndikimin e Rusisë si eksportues i naftës dhe gazit, Trump ka thënë se askush nuk duhet të jetë i varur vetëm nga një shtet sa i përket energjisë.