Xhaferi: Ligji për gjuhën shqipe do të miratohet
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një intervistë për RTK-në, u shpreh i sigurt se ligji për gjuhën shqipe do të kthehet në lexim të tretë dhe mund të marrë më shume vota se herën e kaluar.

Lajme
Këtë deklarim Xhaferi e bëri një ditë pas qëndrimit të presidentit Gjorgje Ivanov se nuk do ta nënshkruajë këtë ligj për gjuhët.
“Lidhur me çështjen e gjuhës, kam paralajmëruar që në shtator të vitit të shkuar se do të ndodhte një veprim i tillë që ndodhi nga kreu shtetit. Prandaj, për rrjedhojë ligji do të kthehet në Parlament, për një procedurë shtesë që mund të zgjasë 30 ditë, që do të kthehet në lexim të tretë, për të kaluar në shqyrtim të drejtpërdrejt, ku mund të krijohet një amandemtin ku mund të ketë një debat. E gjithë kjo do të zgjasë deri kah mesi i shkurtit dhe ligji kërkon 61 vota për miratim, ndërkohë që në votimin e kaluar kishim 69 vota, prandaj ky ligj është e sigurt që do të kalojë”, tha Xhaferi.
Ngjarjet e dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë, sipas Xhaferit nuk duheshin të ndodhin.
“27 prilli ishte vetëm si pretekst, por problemet ishin ideologjike. Në parlament ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte. Mendoj se reagimi i shpejtë dhe vlerësimi i BE-së, por edhe i qytetarëve ndihmuan në stabilizimin e vendit. Unë kam vënë dialogun me të gjitha palët në parlament pavarësisht mosmarrëveshjet e më hershme”, tha Xhaferi.
Sipas kryetarit të kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, rasti Kumanova nuk është dashur të ndodhte.
“Ne punojmë që çështja të zgjidhet në mënyrë institucionale. Institucionet e shtetit kanë pranuar ndihmën e ndërkombëtarëve dhe ne do të shohim çka mund të bëhet në këtë drejtim. Edhe “Rasti Monstra” do të rishqyrtohet”, tha Xhaferi.
Nga takimi me Sekretarin e NATO-s, shtoi Xhaferi, na u dha mbështetje dhe janë ndarë të kënaqur nga veprimet tona deri më tani dhe u sugjeruan qëndrimet e shprehura që në samitin e Bukureshtit dhe është vlerësuar se Maqedonia ka plotësuar kriteret për anëtarësim në NATO, përpos me Greqinë që ka të bëjë me çështjen e emrit të vendit.
Sekreatari Stoltenberg, sipas Xhaferit, ka shfaqur shpresën se të dy qeveritë do të reflektojnë pozitivisht për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i hapte rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO.
Në takim u shfaq interesimi për mbështetjen e një mori çështjeve, që tani janë në procedurë parlamentare e që kanë të bëjnë kryesisht me sigurinë e vendit.
Ndërkaq lidhur me emrin e shteti të Maqedonisë, kryetar i Parlamentit tha se është i rezervuar të deklarohet, për shkak se sipas tij kjo i takon qeverisë, “por megjithatë jemi kundër futjes së ndonjë prefiksi sllav”.