Haradinaj pas mbledhjes së KSB-së: Vrasja e Ivanoviqit, rezultat i involvimeve nga jashtë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka thënë se kjo mbledhje është thirr pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit sot në veri të Mitrovicës.

Lajme

16/01/2018 19:25

Ai i ka shprehur ngushëllime familjes Ivanoviq dhe tërë popullit të Kosovës, duke shtuar se kjo vrasje ka parametra të keqpërdorimit politik apo edhe më shumë.

“Institucionet e vendit me të marrë lajmin kanë kryer detyrat e veta në bazë të ligjit dhe janë ende në punë dhe njëkohësisht të gjitha institucionet e vendit kanë qenë në ngjarje. E dënojmë këtë krim dhe shprehim ngushëllime. E dënojmë çdo tendencë që ky krim të përdorët për agjenda politike”, ka thënë Haradinaj, shkruan lajmi.net.

Sipas Haradinajt, Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira më të gjithë dhe mund të ftojmë edhe FBI-në për hetime.

“Mendojmë që edhe ky krim që ndodh në veri është rezultat i involvimeve nga jashtë Kosovës, involvimeve ilegale”, ka thënë kryeministri.

Bashkë me kryeministrin në konferencë ka dalë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. /Lajmi.net/