Cilat janë vendet më fetare të Ballkanit? Ku radhitën Kosova dhe Shqipëria?
Popullsia në shtetet e Ballkanit është shumë më fetare sesa ato në Evropën Qëndrore dhe Perëndimore, sugjeron sondazhi i ri.
Lajme
Një studim i ri i bazuar në tri sondazhet WIN / Gallup International dhe i botuar në britaniken “The Telegraph” tregon se njerëzit në ballkan janë më shumë fetarë sesa njerëzit në vendet e Evropës Perëndimore.
Anketa, e cila bazohet në tri sondazhet e marra për një kohë të gjatë dhe i kthen ato në një hartë, sugjeron se feja mbetet faktor i fuqishëm në mendjet e njerëzve dhe në shoqëri, në të gjitha vendet ish-komuniste të Ballkanit, me përjashtimin e pjesshëm të Bullgarisë dhe Shqipërisë, transmeton lajmi.net.
Kosova, Maqedonia dhe Rumania dalin si shoqëritë më fetare në rajon dhe në Evropë: 88 për qind e njerëzve në Maqedoni, 83 në Kosovë dhe 77 për qind në Rumani e konsiderojnë vetën fetarë.
Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Greqia vijnë të gjithë mbrapa 3 shteteve të lartcekura, me përqindje të popullsisë religjioze ndërmjet 70 – 72 për qind. Bosnja vjen me 65 për qind.
Bullgaria është vend më pak religjioz, vetëm 52 përqind e popullsisë bullgare e konsiderojnë vetën fetarë.
Shqipëria, është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit me një qëndrim “perëndimor” ndaj fesë – vetëm 39 përqind e popullsisë e konsiderojnë vetën fetarë, pikërisht në të njëjtin përqindje si Austria dhe Hungaria dhe pak më shumë se Spanja (37 për qind).
Në Evropën Perëndimore, Italia, vendi i Kishës Katolike është vendi i vetëm ku shumica dërrmuese e popullsisë e konsideron vetën fetare – 74 për qind.
Në vende të tjera, shifrat kanë tendencë të jenë tepër të ulta. Në Britani 30 për qind e popullsisë janë fetare, 26 për qind në Holandë dhe 34 për qind në Gjermani.
Pjesa më e madhe e Evropës është jo-fetare. Vetëm 16 për qind e estonezëve kanë ndjenja fetare, duke u rritur në 19 për qind në Suedi dhe 21 për qind në Norvegji. Në Evropën Qëndrore, numrat janë të përzier pasi popullsia religjioze është e pranishme në Poloni me 86 për qind, ndërsa vetëm 23 për qind në Republikën Çeke.
Azia, është shtëpia e dy shoqërive më pak fetare në botë, megjithatë – Kina dhe Japonia, ku vetëm 7 për qind në Kinë dhe 13 në Japoni pohojnë se kanë ndjenja fetare.
Anketa është botuar në Ditën Botërore të Religjionit më 14 janar. /Lajmi.net/