Të mjerët
Qytetarët e Republikës së Kosovës e dinë se kush ka kryer krime dhe kush ka luftuar për liri. Këtë të vërtetë e dinë edhe ky grup njerëzish të infektuar me urrejtje të përkohshme. Prandaj, nuk është vonë për askënd, që të filloj të ushqej ndjenjën e respektit për çlirimtarët tonë, qofshin ata të vdekur apo të gjallë. Pak mirësi në shpirtin e secilit nga ne, në vend të urrejtjes në ketë fund vit, na duhet me shumë se gjithçka tjetër
Lajme
Njerëzit kudo në botë por njëjtë edhe tek ne në Kosovë, kanë halle dhe telashe nga më te ndryshmet. Jeta e tyre, standardi i tyre jetësor ndryshon nga njëra familje tek tjetra. Disa jetojnë në luks, janë të kamur. Të tjerë, jetojnë në kushte mesatare. Një pjesë tjetër e konsiderueshme jeton në varfëri. Por, pavarësisht këtyre niveleve të ndryshme të standardit jetësor, të gjitha këto kategori kanë telashet e tyre të veçanta me të cilat ballafaqohen në përditshmëri. Ndoshta, ata që jetojnë në varfëri dhe kanë edhe telashe tjera, mund të konsiderohen si të pafat apo të margjinalizuar. E, ndoshta përkundër këtyre kushteve të rënda të jetës, ata nuk janë të mjerë sepse shpirti i tyre është i mirë. Kanë zemrën e mirë dhe janë shpirtbardhë, dhe si të tillë në të gjitha sidat e jetës dalin faqebardhë.
Sot do shkruaj vetëm pak fjali për një grup të vogël të njerëzve të shoqërisë sonë që i gjen po ashtu në çdo shoqëri ndërkombëtare. I gjen kudo, madje edhe në maja të institucioneve të vendit, të pleksur me fije dobiprurëse nga institucionet, të cilat janë rezultat i përkushtimit, sakrificës dhe idealit jetësor të çlirimtarëve dhe klasës politike që ka bërë, ka dhënë dhe jep për Kosovën. E për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, thuhet se janë meritor të gjithë qytetarët e vendit pa dallim. Dua të besoj se kjo është e vërtetë, por me siguri që ata të cilët kanë udhëhequr luftën çlirimtare së bashku me ushtarët e lirisë, sigurisht se janë më meritor se ne të tjerët. Për më tepër, shumë nga udhëheqësit e luftës dhe ushtarët, kanë rënë dëshmorë e shumë e shumë të tjerë martirë. Kosova brenda mundësive të veta, ka bërë dhe bën përpjekje modeste për t’i kujtuar dhe respektuar heronjtë dhe dëshmorët e vet.
Sikur në çdo luftë tjetër, edhe në luftën tonë për liri, jo të gjithë udhëheqësit dhe ushtarët vriten në beteja. Fakti, që shumë ushtarë të UÇK-së jetojnë në liri sot së bashku më të gjithë ne, nuk i bën ata më pak meritor se bashkëluftëtarët e tyre që nuk janë në mesin tonë. Prandaj, obligim i ynë moral dhe ligjor, është që të respektojmë secilin ushtarë, të vdekur apo të gjallë. Fatkeqësisht, ketë nuk jemi duke e bërë ashtu siç duhet.
Hipokrit dhe të mjerë janë ata të cilët shtirën se respektojnë dëshmorët e lirisë por në të njëjtin kohë përçmojnë luftëtarët e gjallë. Të tillët janë të mjerë, të varfër në shpirt, por jo në xhepa. Këtyre, nuk iu mungojnë paratë dhe as standardi jetësor. Nuk iu mungon as karriera e ndritur, sepse e realizojnë me lehtësi, duke gërryer pandërprerë nën këmbët e meritorëve. Ky grup i vogël njerëzish, përshtatet dhe përfiton nga çdo lloj pushteti. Të maskuar në mënyrë perfide, këta thithin të mirat e tij dhe në një moment të caktuar, vjellin mbi të dhe gjithçka tjetër. Këta janë ata të cilët në emër të ç ‘kapjes së shtetit, e kapin atë fort dhe ia zënë frymën. Në emër të thyerjes së izolimit, janë të gatshëm të dërgojnë ata më meritorët në izolim të përjetshëm.
Këta të mjerët, pavarësisht se nga vijnë, kush janë dhe ku duan të shkojnë, bashkohen lehtë me njëri tjetrin, kur duan t’i bëjnë varrin dikujt. Shpejtësia dhe lehtësia e tyre për të goditur prenë, është mbresëlënëse. Janë të tillë, jo vetëm pse urrejnë të tjerët, jo vetëm pse fyejnë dhe shajnë. Por edhe sepse vinë e të qajnë edhe kur të varrosin të gjallë.
Pse janë të mjerë? Nga vjen gjithë kjo urrejtje për ish-miqtë e tyre, miqtë apo edhe armiqtë? Çfarë i nxit të sillen kështu? A është e kaluara e tyre mjerane apo frika se ardhmja e tyre do të jetë përsëritje e së kaluarës? Fundja, ç’rendësi ka.
Në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së shtetit tonë, ky grup që është kozmopolit për nga natyra, duket më i konsoliduar. Si duket, kjo iu jep motiv për të shfaqur në dozë të tepruar urrejtje të papërmbajtshme, pikërisht kundër atyre që janë me meritorët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Motivet dhe qëllimet që prodhojnë një urrejtje të tillë, mund të jenë nga më të ndryshmet. Por, asnjë… ama asnjë nuk mund të jetë e justifikueshme për të prodhuar urrejtje të tillë.
Kosova dhe populli ynë i vuajtur e ka një grup të tillë mjeranësh që duan të hanë kokat e çlirimtarëve tyre. Mirëpo, iu mungon guximi. Prandaj, janë bërë bashkë dhe i fërkojnë duart duke pritur që mbase gjykata speciale t’iu plotësojë këtë dëshirë! Shpresoj, se një gjë e tillë kurrë mos të ndodh sepse lufta e jonë për liri, është vlera më sublime e shtetit dhe shoqërisë sonë.
Qytetarët e Republikës së Kosovës e dinë se kush ka kryer krime dhe kush ka luftuar për liri. Këtë të vërtetë e dinë edhe ky grup njerëzish të infektuar me urrejtje të përkohshme. Prandaj, nuk është vonë për askënd, që të filloj të ushqej ndjenjën e respektit për çlirimtarët tonë, qofshin ata të vdekur apo të gjallë. Pak mirësi në shpirtin e secilit nga ne, në vend të urrejtjes në ketë fund vit, na duhet me shumë se gjithçka tjetër.