Gjykata Speciale i përgjigjet peticionit të veteranëve të UÇK-së
Gjykata Speciale, duke e komentuar inicimin e peticionit për ndryshimin e ligjit për këtë gjykatë, tha për RTV Dukagjinin se kjo gjykatë është e fokusuar në përmbushjen e mandatit që ka në bazë të ligjit aktual.
Lajme
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të fokusuara në përmbushjen e mandatit në përputhje me Ligjin e miratuar. Dhomat e Specializuara nuk mund të dinë kush janë dhe çfarë nënshtetësie kanë individët kundër të cilëve Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ngrejë akuza. Kjo është kompetencë vetëm e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Gjykatës Speciale.
Sipas kësaj zyre, në Ligjin aktual për Gjykatën Speciale nuk thuhet se do të gjykohen vetëm shqiptarët.
“Përgjithësisht, Ligji nuk përmend përkatësi etnike konkrete, mirëpo në Ligj shkruhet se Dhomat e Specializuara kanë juridiksion “mbi personat e nënshtetësisë kosovare/IRJ, apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”.
Kurse, sa i përket regjistrimit të avokatëve, Zyra për informim e Dhomave të Specializuara tha se tashmë janë dorëzuar një numër kërkesash për akreditim.
Ndërkohë, sa i përket ngritjes së aktakuzave, kjo zyrë tha se Dhomat e Specializuara janë funksionale në aspektin gjyqësor.
“Dhomat e Specializuara janë funksionale në aspektin gjyqësor që prej 5 korrikut. Tash i takon plotësisht Zyrës së Prokurorit të Specializuar të paraqesë akuza”.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së ka iniciuar nënshkrimin e një peticioni përmes së cilit do të kërkohet që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale, në mënyrë që të gjykohen edhe krimet e kryera nga serbët.