Gjeorgjia – prekje e së kaluarës, shijim i së ardhmes

Posa ta vizitoni Gjeorgjinë do ta kuptoni se përse ky shtet është magnet për çdo person që e ka vizituar të paktën një herë.

Fun

12/12/2017 12:00

Gjeorgjia është shtet i njerëzve mikpritës, kuzhinës së mahnitshme dhe tejet i pasur në natyrë.

Gjeografikisht, Gjeorgjia gjendet në Azi, por vendasit preferojnë të thonë se ky shtet është diku mes Evropës dhe Azisë.

Kur shkoni në Gjeorgji, ju do të shihni male kudo. Ndjesia se jeni fëmijë i natyrës asnjëherë nuk do t’iu largohet nga trupi kur e vizitoni këtë shtet, pasi që është i mbushur me gjelbërim, lumenj, liqene, ujëvara dhe ajër të freskët.

Ka shumë ara me hardhi, veçanërisht në regjionin Kakheti, e kjo ndikon që shumica ta njohin Gjeorgjinë si vendlindjen e verërave!

Vendasit raportojnë se i duan shumë turistët dhe i konsiderojnë si bekim nga Zoti. Kjo është edhe arsyeja se përse kur ta vizitoni Gjeorgjinë askush nuk do t’iu kërkojë t’i hiqni këpucët kur hyni në shtëpinë e tyre.

Tbillisi, kryeqyteti i këtij shteti të bukur, e kombinon pjesën antike dhe moderne dhe ky kombinim krijon një kontrast shumë të bukur. Pra, nuk është aspak befasi që shumica e njerëzve e quajnë Tbillisin si “qyteti i kontrasteve”.

Turistëve u duken më atraktive pjesët antike të qytetit, dhe përderisa e admirojnë historinë e lashtë të këtij territori, vizitorët gjithashtu do ta shohin një urë moderne të “paqes”.

Simbolikisht, kjo urë shërben si lidhje e së kaluarës me të ardhmen dhe me të vërtetë i lidhë pjesët antike dhe moderne të qytetit me njëra-tjetrën.

Gjeorgjianët janë popull religjiozë, por tejet miqësor. Përveç kishave gjeorgjiane, mund të gjeni edhe kisha ortodokse ruse dhe armeniane, katedrale katolike, xhami, etj.

Sa i përket aktiviteteve, Gjeorgjia ofron aktivitete për secilin turist. Nëse ju pëlqen historia, mund ta vizitoni kalanë Narikala, Mtskheta, kishën Gergeti Trinty dhe t’i shikoni mbetjet e kështjellave nga shekujt e parë.

Gjithashtu mund ta shini qytetin e shpellës në Uplitsikhe, i cili daton në vitet e hershme të Epokës së Hekurit.

Nëse jeni turist aventuresk, ju mund të bëni hiking, të kalëroni, të lëshoheni me parashutë, etj.

Një sekret tjetër që duhet ta keni parasysh: në Gjeorgji mund të bëni skijim edhe gjatë verës sepse ka male me borë gjatë tërë vitit në regjionin Svaneti.

Kjo është arsyeja se përse ky shtet i vogël është vend që dëshmon se asgjë s’është e pamundur! /Telegrafi/