Shqipëria nën ujë, hajdutët në aksion

Ditët e fundit, shumë zona të vendit kanë pasur reshje të vazhdueshme dhe të rrëmbyeshme shiu, që kanë sjellë edhe përmbytje.

Lajme

03/12/2017 19:09

Aktualisht, në ujë janë mbi 3300 banesa, 40 biznese, 10,200 hektarë tokë të përmbytura dhe afro 5,800 hektarë të tjerë me prani uji, kryesisht në Fier e Vlorë, sipas bilancit të fundit të raportuar nga Komiteti i Emergjencave Civile.

Megjithatë, ndoshta duke përftuar edhe nga kjo situatë, hajdutët kanë ‘hyrë në aksion’. Madje në Krujë është tentuar të vidhet posta.

Rastet e raportuara nga Policia:

Krujë – Më datë 02.12.2017, gjatë natës, në fshatin Borizanë Krujë, është tentuar të vidhet Posta Shqiptare. Punohet për identifikimin e kapjen e autorëve. Nenet 134 e 22 të Kodit Penal.

Vorë – Më datë 02.12.2017, gjatë natës, në Vorë, është vjedhur pa thyerje banesa e shtetasit E.A, vjeç 33 ku kanë marrë 2 telefona tip “Samsung” dhe një sasi lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Elbasan – Më datë 02.12.2017, gjatë natës, në fshatin Gjinar, janë vjedhur 50 m linear tubë plastik që shërben për furnizimin me uji të pijshëm të banesës në pronësi të shtetases D.P., vjeç 55. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për vlerësim.

Fier- Më datë 02.12.2017, gjatë natës, në lagjen “15 Tetori”, është vjedhur banesa e shtetasit B.B., vjeç 59, ku kanë marrë një sasi lekësh dhe eurosh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin: -Astrit Lika, 25 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori” Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në vëndin e quajtur “Shatërvani” Fier, i ka vjedhur një çantë me 12 telefona celularë të riparuar të markave të ndryshme shtetasit H.D, 74 vjeç, banues në lagjen “1 Maji” Fier. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 telefonat celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga Neni 134 i Kodit Penal.

Vlorë – Më datë 02.12.2017, rreth orës 13:00, shtetasi Z.P., vjeç 78, banues ne Dukat Fshat, kallëzon se, më datë 27.11.2017, në Dukat Fshat, në banesë ku prej disa muajsh nuk banonte njeri, persona të paidentifikuar, i kanë vjedhur një komplet enësh gatimi metalike me vlere 10.000 lekë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Vlorë – Më datë 02.12.2017, gjatë natës, në lagjen “4 Heronjtë”, nga persona të paidentifikuar, janë vjedhur pjesët e mjetit tip “Volksvagen” filtri i ajrit, fenerët dhe baterinë, në pronësi të shtetasit G.H., vjeç 28. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.