“Lufta” e dyfishtë ndërmjet AAK-së dhe LDK-së më 17 dhjetor
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më 17 dhjetor do të garojnë për ta fituar komunën e Istogut.
Lajme
Haki Rugova dhe Gani Dreshaj për të tretën herë do të synojnë t’i bindin qytetarët që t’ua japin votën për të parin e kësaj komune.
Por triumfi për ta fituar Istogun ndërmjet këtyre dy partive, nuk do të jetë gara e vetme më 17 dhjetor shkruan lajmi.net.
LDK-ja dhe AAK-ja janë në një “finale” ku do të garojnë për partinë e cila ka numrin më të madh të komunave të fituara nga zgjedhjet lokale.
Aktualisht të dy partitë i kanë nga shtatë komuna ku do të udhëheqin, kurse më 17 dhjetor njëra do ta rris këtë numër.
AAK-ja e Ramush Haradinajt e cilësuar si befasi e zgjedhjeve lokale ka fituar në: Gjakovë, Junik, Deçan, Obiliq, Suharekë, Klinë dhe Rahovec.
Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar qeverisjen në: Fushë Kosovë, Podujevë, Gjilan, Pejë, Vushtrri, Lipjan dhe Viti.
Sa i përket Istogut në votat e rregullta fitues doli Haki Rugova me rreth 600 vota dallim. Rezultat i cili u përmbys pas numërimit të votave me kusht dhe me postë, ku Dreshaj i AAK-së fitoi shumicën e tyre, duke dalur i pari.
Pas ankesës së LDK-së, PZAP hetoi votat me kusht dhe me postë, dhe propozoi që në Istog të ketë rivotim.
Ky vendim u përkrah edhe nga Gjykata Supreme, kurse sot KQZ vendosi që Istogu të rivotojë më 17 dhjetor. /Lajmi.net/