Anton Berisha vetëshpallet kundërligjshëm si “i ngarkuar për bashkëpunim me Vatikanin”

Jo vetëm stafi i kryeministrit Haradinaj, por as vetë vartësit e tij të emëruar si zëvendësministra, nuk po kanë “haber” për kompetencat e tyre.

Lajme

30/11/2017 15:21

Një prej zëvendësministrave të shumtë të Qeverisë Haradinaj, që tash i ka ngatërruar fushat e përgjegjësive, është edhe zëvendësministri i MPJ-së, Anton Berisha, që ndonëse me herët ishte edhe ambasador, ende nuk e ka të qartë se kush e emëron të “ngarkuarin me punë” në shërbimin diplomatik të Kosovës, shkruan ORAinfo.

Pas një takimi me Delegatin Apostolik për Kosovën, Arqipeshkvit Juliusz Janus, duke parafrazuar atë, Berisha e ka shpallur veten si “të ngarkuar për bashkëpunim me Vatikanin” nga kryeministri Haradinaj.

“Ne mënyre të vecante nunci Janusz ka falenderuar kryeministrin Haradinaj per nominimin e zyrtarit te larte, ambasadorit Berisha ne cilesine e te ngarkuarit per bashkepunim me Vatikanin, si nje permbushje e kerkeses se Vatikanit dhe shprehje e vullnetit te mire per nje bashkepunim ndermjet Vatikanit dhe Kosoves”, thotë ndër të tjera zëvendësministri Anton Berisha në postimin e tij.

Por, të kundërtën e thotë ligji.

Neni 16 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, specifikon shumë qartë se i ngarkuari me punë emërohet me dekret të Presidentit, pas propozimit të Qeverisë.

“Neni 16

I ngarkuari me punë

  1. I ngarkuari me punë emërohet me dekret të Presidentit, pas propozimit të Qeverisë. Procedurat për akreditimin e të ngarkuarit me punë zbatohen nga Ministria e Punëve të Jashtme.
  2. I ngarkuari me punë i përkohshëm emërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme.
  3. Në mungesë të shefit të misionit ose në rast pamundësie të shefit të misionit për të ushtruar funksionet e tij/saj, një i ngarkuar me punë i përkohshëm vepron përkohësisht si shef i misionit”, thuhet në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

Ligji: http://www.mfa-ks.net/repository/docs/2008_03-L-122_sherbiminjashtem_al.pdf

Kjo është hera e dytë që njerëzit e Haradinajt po i ngatërrojnë kompetencat e tyre nga mosdija.

Më herët ishte raportuar se Haradinaj u kishte dërguar diplomatëve edhe një qarkore, duke ju treguar atyre se çfarë të thonë për demarkacionin dhe duke imponuar në këtë mënyrë qëndrimet e tij personale.