Koha kur Haradinajt i dukej shumë edhe një zv/ministër! (Foto)

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, kritikonte ashpër numrin e madh të zëvendësministrave në kohën kur u formua qeveria nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Lajme

18/11/2017 19:46

Haradinaj më 16 dhjetor të vitit 2014 kishte shkruar në facebook se asnjë ministri nuk duhet ta ketë më shumë se një zëvendësministër, shkruan lajmi.net

Këtë lideri i AAK-së e arsyetonte me gjendjen e rëndë socio-ekonomike në Kosovë.

“Me një gjendje socio-ekonomike siç po gjendet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një zëvendësministër. Është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të ministrive, Qeveria e Kosovës të ketë më shumë se një zëvedësministër për ministri”, shkruante Haradinaj në facebook.

Madje, ai akuzonte qeverinë e Isa Mustafës se kjo po bëhej për interesa të ngushtë klienteliste.

“Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste. Zvogëlimi i kabinetit qeveritar është domosdoshmëri. Qasja e tanishme po tregon se Kosova po forcohet në Parti-Shtet”, deklaronte Ramush Haradinaj.

Ndryshe, sot qeveria e Kosovës ka hiç më pak se 61 zëvendësministra në total. /Lajmi.net/