Nëse doni që dukurinë t’ia shndërroni vetes në imazh të kristaltë mjafton t’i lexoni vetëm aforizmat e Cioranit dhe jo më tepër. Dhe leximi i tij aspak s’do t’ua reduktojë mllefin. Përkundrazi. Nuk do t’ua lehtësojë jetën por do t’u bëjë revolucionarë të tipit edhe më të egër – natyrisht nëse urreni padrejtësinë dhe nuk e keni nga mllefi se pse ua zuri vendin Tjetri në aparatin aq të joshëm – në pushtet!
Do të përdhoseni sidomos kur do të kujtoni, pyesni se sa pare u harxhuan gjatë votimeve të fundit; sa nerva u elektrizuan deri ne djegie; nuk do t’i duroni dot filmat e kujtesës më të freskët që ua sjellin skenat me grushte, luftën, daljet në votime ngase pas çdo sekuence përballeni me pyetjen e neveritshme; për çka?
Histeria që nxiti këtë shkrim është kjo: shteti më i vogël dhe më i varfër i gadishullit Kosova ka aparatin më të madh qeveritar. Shumica e tij eshtë e korruptuar, e paaftë, nepotiste dhe …! – thonë dhe ankohen pjesë të demosit, media, analistë dhe ata që – siç thamë edhe më lartë – nga mllefi pse nuk e siguruan edhe për vete një vend në të njëjtin aparat, gati janë duke plasur. Nervoza, refuzimi, reagimi ndaj kësaj situate është shenjë e mirë. I bën mirë sensibilizimit për demokraci më kualitative. I bën mirë sepse shumë brenda kësaj revolte janë njerëz që as që synojnë pushtetin siç është. Reagojnë ndaj një dukurie tjetër, të ulët, refuzojnë ata që nuk morën besimin e demosit, nuk u votuan e megjithatë morën pushtet.
Mirëpo është edhe më keq thonë relativistët; qeveria është rezultat i humbësve të bashkuar. Këtë të fundit mirëpo megjithatë e lejon demokracia – është përgjigja. E dimë ajo ende nuk është e përkryer, demokracia shqiptare e as ajo gjithandej botës. Jo, shumica e revoltëve nuk janë në konflikt me këtë papërkryershmëri të sistemit të demokracisë pluraliste, por e kanë konkretisht me Rafiqe Tërnavën dhe Gjergj Dedajn. Që të dy humbës në garën demokratike. Dhe jo vetëm kaq. Revolta ndaj këtyre dy – nëse i lexojmë reagimet drejtë – ka motive shumë më të thella se vetëm atë që ë nxjerrin në pah; inatin ndaj papërkryeshmërisë së sistemit dhe aversionin ndaj personave të përveçëm.
II.
Do t’i radhisim disa nga më frekuentueset, për ta kuptuar reagimin se sa normal apo sa absurd është dhe pastaj do merremi sërish me tezën se pse është mirë që Rafiqja dhe Gjergji janë në pushtet pa u votuar. Kondensati i reagimeve pra është ky:
1. Ç’kuptim ka demokracia pluraliste nëse resorët më të rëndësishëm të shtetit i marrin humbësit, të pavotuarit? Për çka zgjedhjet atëherë.
2. Si humbës të zgjedhjeve konsiderohen partitë që mezi shpëtuan brenda koalicioneve, persona që nuk siguruan as votat për deputetë, parti që sot nuk ekzistojnë më e të ngjashme.
3. Pikërisht nëpërmjet këtyre humbësve të deklasuar politikisht vazhdohet mëkalbja e aparatit shtetëror me divizione njerëzish të paaftë dhe kallauzë të pa fije integriteti si tipi i Gjergj Dedajt.
4. Pikërisht nëpërmjet këtyre humbësve u legalizua, u realizua e pranimi i simbolit të islamit politik siç është shamia e Rafiqes si legjitime. (BIK, partitë dhe organizatat fetare me këtë simbol politik kanë nisur luftën e tyre kundër shtetit sekular, thonë kundërshtarët). Kjo kategori e konsideron dhëniepozitën e saj brenda Ministrisë së Jashtme, aty ku hyn e del e gjitha bota si sinjal të qartë të shtetit të ketë hyrë në procesin e desekularizimit. Mungon vetëm edhe Gëzim Kelmendi të bëhet zv/ministër i kulturës dhe arsimit – shkroi njëri në rrjetet sociale.
E qartë: reagimi nuk është kundër dy personave, nuk është ad hominem, por ka të bëjë kryesisht me revolta kategorish të caktuara që janë kundër nepotizmit, përdhunimit të demokracisë pluraliste në favor të tregtimeve të ulëta paraelektorale, janë kundër sabotimit të kushtetutës sekulare në favor të islamit politik radikal dhe dukuri tjera si këto.
III.
Unë mendoj se reagimet janë po aq zbavitëse sa edhe vetë paradat elektorale të tashme, të këtyre kandidatëve për kryekomunarë, të cilët na duken sikur ato bukuroshet në „atë vendin“ që bërtasin: „merrmë mua, merrmë mua pash…“. Pse na duken kështu? Sepse të bësh debate e polemika të këtilla implikon pushteti të jetë hyjnor, qeveria dhe demokracia kosovare e përkryer dhe njerëzit kanë kapur shpatat, sëpatat, thikat dhe kosat për t’i shpëtuar këto nga Rafiqja dhe Gjergji. Antagonike ngase shumica e këtyre revoltuesve në një frymë thonë se pushteti është i kalbur si ashtu, pervers, idiot, demokracia nuk funksionon se qeveritë i bëjnë humbësit. Kjo nuk shkon. Njeriu që e di se ke një qeveri të paaftë, nepotiste, të pervertuar s’ka pse habitet as nëse sheh Gjergj Dedajn me ferexhe dhe Rafiqen me minifund e gjoksin jashtë duke e pritur në aeroportin „Adem Jashari“ Papa Françeskun. Ata dy aty e kanë vendin.
Nuk pyetet njëriu që hyn në puf pse është mbuluar ashtu sikur me ferexhe. As atyre bukurosheve brenda nuk u thuhet ç’a jeni zhvesh kështu!
Dhe revoltuesit duhet të ndihen krenar që nuk i votuan.
E votuan Ramush Haradinajn, po, por gjithë e dinin se nuk do t’ia dalë. Jo me këto kasta këshilltarësh dhe koalicionarësh që janë vetë demiurgjët e perversionit të politikës dhe pushtetit në favor të gjitha dukurive negative dhe pa tru për ta bërë një shtet a qeveri ndryshe.
Ramush Haradinaj është trim, me kapital historik, ka guxim si askush tjetër. Por gjitha këto pa inteligjencën e nevojshme, arsyeshmërinë intelektuale nuk të garantojnë dot konsistencën në parime se manipulohesh, bëhesh lolo i lloj lloj interesave, sidomos të atyre që e dinë se si munden të përfitojnë nga perversiteti i këtij lloj pushteti siç e „kultivojnë“ qeveritë shqiptare.