Komuna e ngushtë

Cilat janë problemet e Fushë Kosovës që do të barten për mandatin e ardhshëm?

Lajme

14/10/2017 16:18

Komuna e Fushë Kosovës edhe pse është njëra ndër qytetet me zhvillim të hovshëm në ndërtimin e objekteve të larta, vazhdon të ketë probleme që janë trashëguar dhe krijuara vit pas viti.

Rreth 36 mijë banorët e kësaj komunë ballafaqohen me ujë të pijshëm, me shkolla që punojnë me tri ndërrime, me mungesë të parkingjeve, trotuare, kujdes mjekësor, ambulanta të mbyllura dhe të demoluara. Përveç këtyre problemeve, komuna e Fushë Kosovës ballafaqohet edhe me ndotjen e lumenjve nga derdhjet e ujërave industriale, si dhe nga deponitë ilegale nëpër hapësira publike.

Komuna e Fushë Kosovës që nga viti 2007 është drejtuar nga Burim Berisha i LDK-së. Kjo parti, në fakt e ka qeverisur Fushë Kosovën që nga viti 2000, porme një kryetar tjetër.

Në nëntë vitet e tij, i pari i komunës kishte premtuar për qytetarët ujë të pijshëm gjë që nuk është realizuar 100 për qind meqë gjysma e  qytetit të Fushë Kosovës nuk është e kyçur në fabrikën e ujit në Shkabaj për shkak të një gypi i cili nuk ka bërë lidhje.

Kryetari Burim Berisha, që synon një mandat të katërt, ka pranuar për KALLXO.com se gypi prej 2.5 km nuk është lidhur nga Ujësjellësi.

“Gjysma e qytetit është i kyçur në fabrikën e ujit në Shkabaj ndërsa gjysma jo. Po presim që ministria ta vendosë një gyp të ujit në Shkabaj për Fushë Kosovë. Nuk është problem por ka një zvarritje kot edhe nga qeveria dhe kompania e Ujësjellësit  sepse mjetet prej 600 mijë euro ekzistojnë për këtë projekt”, pati thënë Berisha për KALLXO.com para fushatës zgjedhore.

E kur është pyetur për çështjen e ujit në debat për zgjedhjet komunale 2017 në Debat Pernime, Berisha është përgjigjur shkurt “me rëndësi është se unë e kam ujin dhe e marr prej bunarit tim”.

Në vitet e fundit, komuna e Fushë Kosovës është zhvilluar hovshëm për nga ndërtimi urbanistik. Vetëm në katër vitet e fundit kjo komuna ka dhënë 168 leje ndërtimi ndërsa pa leje janë identifikuar 7-8 banesa.

Qeverisja aktuale e LDK-së për Fushë Kosovë, me një fjalë po i “rehaton” të tjerët ndërsa vetën e ka lënë akoma me qira. Pra komuna e Fushë- Kosovës rri në objekt me qira ku paguan 16 mijë euro në muaj që i bien për një vit paguan 192 mijë euro.

Ndërtesa e re e komunës që ishte financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, ishte nisur në nëntor të vitit 2011 dhe nuk është kryer ende për shkak të problemeve që kishin dalë me kontraktuesit pas nisjes së punimeve.

Numri i madh i banorëve që kohëve të fundit kanë blerë banesa në komunën e Fushë Kosovës ka bërë që të rritet edhe numri i nxënësve. Vetëm në tri shkollat fillore të mesme “Mihal Grameno”, “Selman Riza” dhe “Daut Bogujevci”, numri i nxënësve arrin mbi 5 mijë duke bërë kështu që të ketë mësim edhe me tri ndërrime.

Aktualisht në këtë komunë sipas hulumtimit të KALLXO.com del se janë tri shkolla që janë nisur, dy nga to që gjashtë vite nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që nuk janë përfunduar dhe një shkollë në lagjen 300 ku ka ankesa nga banorët për ndërtim të saj me arsye se po ua zë hapësirën publike.

Vendi ku po ndërtohet shkolla e kontestuar në Lagjen 300 në Fushë Kosovë. Foto: Kallxo.com

Përderisa në qytet të Fushë Kosovës ka ngarkesë të nxënësve nëpër shkolla, në fshat qëndron puna ndryshe. Ekipi i KALLXO.com ka gjetur që në fshatin Bardh i Vogël  është mbyllur shkolla për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe mungesës së stafit mësimdhënës.

Gjatë periudhës së fundit, komuna e Fushë Kosovës nuk ka ndërtuar asnjë çerdhe të re ndërsa akoma objektet e shkollave në fshatrat Bardh i Madh dhe Miradi vazhdojnë të mbesin të pa shfrytëzuar qysh nga ndërtimi i tyre në mandatet e mëhershëm të qeverisura nga Burim Berisha.

Në periudhën katër vjeçare, komuna e Fushë Kosovës nuk ka punësuar asnjë mësimdhënës edhe pse sipas numrit të nxënësve, del të mungojnë së paku 18 mësimdhënës.

E mungesë të stafit ka edhe në shëndetësi. Komuna e Fushë Kosovës nuk ka punësuar asnjë person nga ata që ka prej 103- 104 punëtorë mjekësorë të cilët kanë 150 mijë vizita dhe 350 mijë shërbime brenda një viti. Kjo sipas përfaqësuesve komunal nuk është bërë për shkak se nuk është lejuar shpallja e konkurseve për staf të ri nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe pse punësimi i stafit mjekësor nuk qenka në “duart” e komunës së Fushë Kosovës, të paktën mirëmbajtja e objekteve është kompetencë e tyre. Hulumtimi i KALLXO.com ka gjetur se si në fshatin Bardhi i Vogël, pas mbylljes së ambulantes nga stafi mjekësor, objekti ishte lënë pa kujdesie.

Me të hapur derën e kësaj ambulante e cila ishte e mbyllur me një litar, shihej një gjendje e rëndë e objektit dhe pajisjeve mjekësore. Karriget stomatologjike dhe shtretërit që shërbenin për pacientë, aparatura sterilizuese ishin të dëmtuara dhe hedhura vend e pa vend.

Ambulanta e mbyllur në fshatin Bardh i Vogël, Fushë Kosovë. Foto: Kallxo.com

Në dhoma ku dikur pacientët merrnin shërbime mjekësore, vëreheshin barërat, injeksionet e ndryshme si qetësues të llojit diazepam, shiringa dhe gjilpëra të hedhura në tavolina dhe dysheme.

Për dallim nga infrastruktura mjekësore, komuna e Fushë Kosovës ka investuar në rregullim të infrastrukturës rrugore, por ka probleme me trotuare si në qytet, në lagjen Dardania, pastaj në lagjen 028 dhe 029 ku jeton komuniteti ashkali, rom dhe egjiptas, por edhe në fshatrat si Miradi, Henc, Bardh i Vogël, Bardh i Madh, Lismir, Mesbardh, Vragoli ku vërehet se ka mungesë të trotuarit apo ka trotuar pjesërisht të shtruar ne disa vende.

Edhe pse rreth 1 mijë familje jetojnë në asistencë sociale, Fushë Kosova është ndër komunat e pakta në Kosovë që ka investuar në ndriçim solar, projekt i cili kohëve të fundit, është shndërruar me energji të zakonshme për shkak të mos funksionimit të saj.

Deponitë dhe ujërat e zeza

Komuna afër kryeqytetit është përkujdesur që viteve të fundit të jap falas mbi 10 mijë kontejnerë për banorët e vet në mënyrë që të menaxhojnë sistemin e mbeturinave. Edhe pse kjo është vlerësuar një hap i mirë nga qytetarët e Fushë Kosovës, kjo komunë vazhdon të ketë probleme me deponi ilegale. Madje për këtë problem vetë kryetari aktual Burim Berisha ka thënë për KALLXO.com se “nuk po mundemi me i ra në fund problemit me deponi ilegale”.

Hulumtimi i KALLXO.com ka nxjerrë në pah që në fshatin Vragoli, Miradi të Ulët dhe Miradi të Lartë, si dhe në hyrje të fshatit Kuzmin ka deponi ilegale të pa menaxhuara nga komuna.

Mbeturinat në Fushë Kosovë. Foto: Kallxo.com

Problem i madh i kësaj komune janë edhe trajtimi i ujërave të zeza që derdhen në lumenjtë. Përmes Fushë Kosovës kalon kanalizimi i Prishtinës. Po ashtu edhe Drenasi shkarkon kanalizim në lumin Drenica që kalon nëpër Fushë Kosovë. Pra aktualisht në lumenjtë e Fushë Kosovës, derdhen kanalizime nga Prishtina, Drenasi dhe nga vetë komunës, të cilat më pas shkarkohen në Sitnicë që është lumi më i ndotur në Kosovë. Në këto vitet e fundit, komuna ka pranuar se nuk është investuar në trajtimin e ujërave të zeza përveç që kanë nënshkruar një memorandum me austriakët e francezët por për zbatimin e saj mund të duhen deri në 8 vite.

Urë e drurit në komunën e Fushë Kosovës. Foto: Kallxo.com