Personat me sindromën Down dëshmohen me punën e tyre

Prej 900 personave me sindromën Down, sa prezantohet në shifrat zyrtare se ka në Kosovë, vetëm 5 prej tyre janë të punësuar. Që të pestit janë të punësuar në institucione private dhe asnjë në institucionet publike.

Lajme

05/10/2017 15:33

Shoqata ‘’Down Sindrom Kosova’’, prej themelimit të saj në vitin 2007 funksionon me qendra rajonale në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe në Mitrovicë dhe ka pasur për qëllim mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie të shoqërisë.

Së fundmi, kjo shoqatë ua ka mundësuar këtyre personave që brenda institucionit të prodhojnë dhe paketojnë xhem nga mjedrat.

Ky xhem, tashmë është në shitje, ku ditën e enjte edhe është bërë promovimi i kësaj pune. Në këtë projekt janë paguar për punën e tyre gjashtë persona me sindromën Down.

Engine Avgje, menaxher i projektit ,’’Xhem X21 Mjedra’’, i cili ka për qëllim qasjen e tregut të punës për personat me sindromën Down tha për Radion Evropa e Lirë se pas trajnimeve që këta persona i kanë mbajtur, janë pavarësuar plotësisht për ta kryer punën e tyre, e që tashmë ka rezultuar me shumë sukses.

Me këtë projekt kemi filluar në muajin maj dhe kemi bashkëpunuar me teknologen për të na mësuar si të prodhohet xhemi. Më pas kemi filluar me prodhim dhe paketim. Gjashtë persona me sindromën Down dhe tre të tjerë nga qendra e personave me sindromën Down, janë angazhuar në këtë projekt”.

Tash janë të aftë për ta përgatitur xhemin dhe qëllimi ka qenë me i tregu aftësitë e personave me sindromën Down, e që kanë mundësi dhe aftësi për të me punuar”, thotë Avgje.

Xhemi që prodhohet nga personat me sindromën Down

Xhemi që prodhohet nga personat me sindromën Down

Një nga të punësuarit është Agron Bilalli. Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se sa është i rëndësishëm ky program, dhe punësimi i tij në përgatitjen dhe paketimin e xhemit.

Sa i përket çështjes me xhemin, këta na kanë ndihmuar shumë. Unë kam punuar në këtë projekt. Ndihem shumë mirë. Kam punuar edhe me paketimin e mjaltit e që ka qenë projekt i mëhershëm dhe tashmë kanë thënë të punojmë edhe në projektin me xhem”, tha Bilalli.

Agron Bilalli duke punuar në paketimin e xhemit

Agron Bilalli duke punuar në paketimin e xhemit

Drejtoresha e shoqatës ‘’Down Sindrom Kosova’’, Sebahate Beqiri tha se i gjithë procesi i prodhimit dhe paketimit bëhet brenda shoqatës, derisa qëllimi i gjithë kësaj është që të ngritet vetëdija e qytetarëve që personat me Down sindromë mund të jetojnë të pavarur.

Sa i përket trajnimit dhe aftësimit profesional, ky program është në kuadër të Shoqatës ‘Down Sindrom Kosova’ dhe ne po i mbështesim për një periudhë të gjatë kohore këta persona për zhvillimin e aftësive të tyre profesionale. Ne kemi dizajnuar programe si ‘Kafeterinë X21’ në Prishtinë , ‘Bistro Garden’ në Prizren , punëtoria për paketimin e mjaltit si dhe projekti i fundit për xhem, ‘X21 mjedra’’, tha Beqiri.

Vetëm dhjetë vite më parë shumë prindër të fëmijëve me sindromën Down nuk kanë pasur njohuri për të drejtat e fëmijëve të tyre. Por, ndërkohë me angazhimin e zyrtarëve të organizatave siç është “Down Sindrom Kosova”, informimi dhe përkrahja ka ndryshuar qasjen e tyre në shoqëri.