Dhurata Hoxha e gatshme edhe për një mandat në Ministrinë e Drejtësisë
Pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit PDK-AAK-Nisma me AKR-në tani më është hedhur një hap përpara formimit të institucioneve.
Lajme
Mediat po raportojnë për emra të ndryshëm të partive politike që do t’i zënë vendet nëpër ministri, mirëpo asgjë deri më tani nuk është zyrtarizuar.
Dhurata Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës është emër potencial që mund të vazhdojnë edhe për një mandat të jetë në krye të Ministrisë së Drejtësisë.
Lajmi.net ka kontaktuar me Hoxhën për ta pyetur se a është e vërtetë një gjë e tillë, mirëpo ajo ka thënë se ende nuk ka asgjë konkret rreth kësaj çështjeje.
“Ende nuk ka asgjë konkrete, për këto gjëra vendosin strukturat e partisë”, ka thënë ajo.
Edhe pse ende nuk është vendosur, ministrja e Drejtësisë në largim, është gati të jetë edhe për një mandat në krye të kësaj ministrie.
“Normal, këtë detyrë e kam kryer me të gjitha përgjegjësit që i kam pasur, por nuk ka asgjë konkrete deri sa të vendosin strukturat e partisë e më pas Kryesia”, ka thënë Hoxha shkurt për lajmi.net. /Lajmi.net/