Sulmi në Hamburg, me motive “islamiste radikale”

Prokurorët federal në Gjermani kanë thënë se personi i akuzuar për sulmin me thikë në një market në Hamburg, ka pasur motive “islamiste radikale”.

Bota

31/07/2017 17:18

Në këtë sulm një person ka vdekur dhe gjashtë të tjerë janë lënduar.

“Duket se sulmi ka shenja të islamizmit radikal. Sipas hetimeve që po vazhdojnë ende, i akuzuari ishte i vetë-radikalizuar”, kanë thënë prokurorët përmes një deklarate.

Ata kanë shtuar se nuk kanë të dhëna, nëse i dyshuari, i identifikuar si Ahmad A., ishte anëtar i grupit militant, Shteti Islamik, apo ndonjë organizate tjetër terroriste.

I dyshuari, një palestinez i lindur në Emiratet e Bashkuara, nuk kishte arritur të fitonte azilin në Gjermani.

Autoritetet gjermane kanë thënë se i dyshuari ka treguar shenja të radikalizmit para nisjes së sulmit.

Mirëpo, ministri i Brendshëm i Hamburgut ka thënë më 29 korrik, se ai nuk ka qenë i njohur si person i rrezikshëm.