Bizneset shpalosin kërkesat e tyre në Panairin e Tregtisë Inverse
Oda Ekonomike e Kosovës për herë të dytë organizon Panairin e Tregtisë Inverse. Në këtë panair nuk u ekspozuan produkte, por kërkesat e bizneseve për produkte dhe shërbime të cilat i blejnë brenda apo jashtë vendit.

Lajme
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se Panairi i Tregtisë Inverse është një koncept i ri në Kosovë, i fokusuar në krijimin e lidhjeve biznesore në mes të ndërmarrjeve të mëdha, të mesme dhe të vogla me qëllim të promovimit të produkteve vendore, përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe zvogëlimit të importit.
“Pjesëmarrja e bizneseve të ndryshme dëshmon se në ekonomi nuk ka kufij. Zhvillimi i bizneseve private është motori i zhvillimit të ekonomisë së shtetit”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Sigrid Meijer nga Swisscontacti tha se ky panair do të ishte mirë të mbaje edhe në qytetet e tjera si në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë etj, raporton EO.
Ndërsa ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se ky panair ka rezultuar të jetë i suksesshëm, duke shtuar se kërkesat e bizneseve duhet që të merren parasysh.
“Në përgjithësi panairet nuk kanë qenë vetëm reklamuese, por ka pasur shumë kontrata e kontakte të reja. Bizneset janë të vetmit që krijojnë mirëqenie dhe krijojnë vende të reja të punës, andaj zëri juaj duhet të dëgjohet”, porositi Barjami.
Ajo premtoi se do të jetë një zë i fuqishëm i bizneseve në parlament.
Pjesë e panairit janë ndërmarrje të vogla e të mesme nga sektori i agrobiznesit, shërbimeve e prodhimit të interesuara në shitjen e produkteve dhe shërbimeve të tyre për t’u integruar si furnizues në zinxhirët e vlerave në tregun vendor. Në panair po marrin pjesë edhe shumë biznese nga komunat me shumicë serbe.
Ky aktivitet realizohet me përkrahje nga programi Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), që financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe implementohet nga Swisscontact në partneritet me Institutin Riinvest dhe PEM Consult.