Mitrovicë: Paraburgim për mjekun dhe policin që u kapën me drogë
Gjykata Themelore në Mitrovicë ua ka caktuar paraburgimin zyrtarit policor dhe mjekut të cilët u arrestuan për narkotikë.

Lajme
Paraburgimi prej 30 ditësh u është caktuar zyrtarit policor Shemsedin G. Dhe mjekut të dhëmbëve Valon M nga Gjykata Themelore në Mitrovicë
Lajmin për caktimin e paraburgimit e bëri të ditur për KALLXO.com gjyqtari Ali Kutllovci.
“Tash ka përfundu seanca dhe iu ka caktu masa e paraburgimit personave ne fjalë”, tha Kutllovci.
Pak para se të caktohej paraburgimi nga gjykata, prokurori Njazi Rexha tha për KALLXO.com se kishte kërkuar paraburgimin për të arrestuarit e mbrëmshëm.
Rexha tha se i mbetet gjykatës ta caktojë, ose jo këtë masë.
Zyrtari policor dhe mjeku i dhëmbëve u arrestuan dje në Mitrovicën Veriore në një aksion të koordinuar.
Me një veturë Golf pjesëtari i Policisë së Kosovës Shemsedin G. hetues në krimet rajonale të Mitrovicës dhe mjeku i dhëmbëve Valon M. ia kishin mësyrë veriut të vendit për të transportuar drogën e llojit marihuanë.
KALLXO.com mësoi mbrëmë se në aksionin e organizuar nga IPK dhe Drejtoria e Drogave policët ranë në pritë në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa në makinën e tyre u zbuluan mbi 7 kilogramë drogë.