Torcida thotë se i rrahu Plisat, publikohen fotot e aksionit (FOTO)

Të paktën kështu lë të kuptohet një foto e publikuar nga faqja “Ultras Kosova” në Facebook.

Sport

08/07/2017 10:41

Torcida dhe Plisat janë në “luftë” edhe kur skuadrat e tyre nuk ballafaqohen mes vete dhe kjo u konfirmua edhe këtë mesjavë.

Tifo-grupi prishtinas vizitoi shtëpinë e mitrovicasve, stadiumin “Adem Jashari”, për ndeshjen parakualifikuese të Ligës së Evropës ndaj Norrkopingut, përcjellë “GazetaOlle.com”.

Megjithatë, udhëtimi i tifo-grupit prishtinas duket se nuk doli të jetë aq i qetë.

Të paktën kështu lë të kuptohet një foto e publikuar nga faqja “Ultras Kosova” në Facebook.

Ajo ka postuar një foto në të cilën shihen pesë tifozë të Torcidës.

Ata bartin në duar një fanellë të Prishtinës, një të Plisave dhe një shall të këtij tifo-grupi.

Një gjest i tillë në mentalitetin ultras do të thotë “shkatërrim” ndaj kundërshtarit.

Megjithatë, Plisat në komentet e mëposhtme e kanë mohuar disfatën, duke shkruar që ishin masovikisht në Mitrovicë dhe Torcida s’guxoi të bëjë asgjë.

Faqja zyrtare e Torcidës nuk ka publikuar ende asgjë në lidhje me rastin në fjalë.