Çfarë është gastriti dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në përkeqësimin e tij

Gastriti është një term i përgjithshëm për një sërë gjendjesh shëndetësore me një të përbashkët: inflamacioni i shtresës së brendshme të stomakut.

Lifestyle

30/06/2017 20:27

Shkaktari kryesor i gastritit është infeksioni bakterial nga helikobakter pylori. Përdorimi i rregullt i ilaçeve të caktuara për lehtësimin e dhimbjeve dhe abuzimi me alkoolin mund të shkaktojnë gjithashtu gastrit.

Gastriti mund të shfaqet papritur (gastriti akut) ose ngadalë me kalimin e kohës (gastriti kronik).

Në disa raste, gastriti mund të shkaktojë ulcerë dhe rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të stomakut. Megjithatë, në shumicën e rasteve gastriti nuk është serioz dhe mund të kurohet me anë të një trajtimi të shpejtë, shkruan Shendeti.com.

Shenjat dhe simptomat e gastritit janë:
• Gërryerje ose ndjesi djegie dhe dhimbje në pjesën e sipërme të stomakut, që mund të përkeqësohet ose përmirësohet me ngrënien.
• Të përziera
• Të vjella
• Ndjesi e fryrjes në pjesën e sipërme të barkut pasi keni ngrënë

Gastriti është inflamacion i shtresës së brendshme të stomakut. Ligështia ose dëmtimi i shtresës që mbron muret e stomakut (mukoza) lejon lëngjet tretëse të dëmtojnë dhe inflamojnë pjesën e brendshme të stomakut. Një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh mund të rrisin rrezikun e gastritit, si sëmundja Crohn dhe sarkoidoza, një gjendje kur qelizat inflamatore rriten në trup.

Faktorët që mund të rrisin rrezikun e gastritit janë:

• Infeksioni bakterial: Edhe pse infeksioni me bakterin “Helicobacter pylori’ është një nga infeksionet më të përhapura tek njerëzit, vetëm disa prej tyre preken nga gastriti ose probleme të tjera gastrointestinale. Rreziku për t’u prekur nga ky bakter, sipas mjekëve, lidhet me trashëgimin dhe mënyrën e jetesës, si dieta ushqimore ose duhanpirja.

• Përdorimi i rregull i ilaçeve për lehtësimin e dhimbjeve: Ilaçet e zakonshme për lehtësimin e dhimbjeve, si aspirina, ibuprofeni (Advil, Motrin IB, etj) dhe naprokseni (Aleve, Anaprox) mund të shkaktojnë si gastrit akut ose kronik. Përdorimi i këtyre ilaçeve rregullisht ose mbidoza e tyre mund të pakësojë një substancë të rëndësishme që mbron shtresën e brendshme të stomakut.

• Mosha e tretë: Të moshuarit janë më të rrezikuar nga gastriti duke qenë se shtresa brendshme e stomakut fillon të hollohet me kalimin e moshës. Ata janë gjithashtu më të rrezikuar të preken nga infeksioni H. pylori ose sëmundje autoimunitare, krahasuar me të rinjtë.

• Abuzimi me alkoolin: Alkooli mund të acarojë dhe gërryejë shtesën e brendshme të stomakut, duke e bërë më të ndjeshme ndaj lëngjeve tretëse. Përdorimi i tepërt i alkoolit mund të shkaktojë gjithashtu gastrit akut.

• Stresi :Gjendjet stresuese të shkaktuara nga dëmtimet, djegiet, operacioni ose infeksione të caktuara mund të shkaktojnë gastrit akut.

• Sëmundje dhe gjendje të tjera shëndetësore: Gastriti mund të lidhet me gjendje të tjera mjekësore, si HIV/AIDS, sëmundja Crohn dhe infeksionet parazitare. /Lajmi.net/