Për Prishtinën dhe Kosovën
Prishtinën dhe Kosovën i mbrojnë pak ata që me detyrë e kanë t’i mbrojnë dhe t’i duan. Ata që nuk e kanë detyrë, por ndjenjë të veten më të pastër, e duan këtë qytet dhe këtë shtet dhe mburren që janë banor të Prishtinës dhe shtetas të Kosovës.
Lajme
Çudi është kjo punë.
Me e dashtë këtë qytet dhe këtë vend (këtë shtet), me e shpreh publikisht dashurinë për Prishtinën dhe për Kosovën, ndër ne, në këtë shoqërinë publike që kemi krijuar, mund të jesh politikisht dhe patriotikisht jokorrekt. Apo, duhet justifikuar këtë ndjenjë ndaj Prishtinës dhe Kosovës. Gati që duhet të ndihesh keq, me faj, me mëkat ditor dhe mortor, sepse po bën gabim të madh.
Ta zëmë, nëse flet me dashuri për Prishtinën, do të përballesh me një mal pyetjesh të ndryshme, thuajse je në polici apo në gjyq, pasiqë ke bërë farë krimi të madh.
Kështu, ai që merr guximin për të folë për Prishtinën me dashuri, duhet patjetër t’i di përgjigjet në këto pyetje: Për cilën Prishtinë ti po flet: Për atë para pesëdhjetë a gjashtëdhjetë vjetëve, për atë që ka qenë kasaba turko-osmane, për qytetin gjatë komunizmit jugosllav, apo gjatë okupimit serb? A do të thotë që ti, nëse e do këtë qytet, nuk do asnjë tjetër qytet në Kosovë apo në trojet e tjera shqiptare? Çka ke ti kundër atyre që kanë ardhë në Prishtinë për të jetuar?
Dhe shumë pyetje të tjera. Të cilat realisht gati që nuk marrin formën e një Aktakuze kundër teje.
Prishtina para gjysmë shekulli, apo edhe më parë, natyrisht, nuk ka mundur të jetë as Berlin dhe as Londër, as Bern a Zagreb apo Neë York. Nuk ka mundur të jetë as Tiranë dhe as Durrës, madje. Prishtina ka qenë një qytezë e varfër, e lënë qëllimisht e tillë, pa arsim dhe pa kulturë të mirëfilltë, pa ujësjellës dhe kanalizim të njëmendtë, që vërshehej nga dy lumenjtë e saj sa herë binte shi.
Prishtina nuk ka mundur të vendosë për fatin e vet, për dukjen e vet, deri diku kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Nuk ka pasë gjë në dorë. Pos kobit të saj. Dhe qytetarëve që e kanë dashtë, sepse në të nuk kanë parë vetëm godina e ndërtesa, sheshe, rrugë dhe rrugica, por një frymë të mbijetesës individuale dhe kolektive (nacionale).
Në harkun kohor prej vitit 1970 deri në vitin 1986, qyteti i Prishtinës mori identitetin e kryeqytetit të Kosovës, me të gjitha ndërtesat që janë pika referente të këtij qyteti, e që madje kanë mbetë të tilla sot e kësaj dite.
Natyrisht, fituam lirinë (pos tjerash), për tu marrë si duhet me këtë qytet, prej verës së vitit 1999 e tutje. Nuk kemi çka të krenohemi dhe përse të mburremi për këtë periudhë në Prishtinë, që mbi të gjitha veçohet me ndërtimet e egra, pa leje, pa kurfarë tipari artistik dhe arkitektonik. Zatën, mënyra se si u çorodit ky qytet prej çlirimit e tutje, flet më së miri se sa ditëm ta çmojmë lirin, për të cilën dhamë krejt çka patën në të kaluarën.
Të kuptohemi: Këtu nuk po shkruhet as varianti më i shkurtër i mundshëm i historisë së këtij qyteti. Po ky qytet, Prishtina, është prodhuesi më i madh, më i rëndësishëm i historisë së Kosovës, madje, si qytet, i historisë politike të shqiptarëve, që prej vitit 1912 e këndej, kur në Vlorë u shpall mëvetësia e Shqipërisë.
Në fakt, Prishtina pas Vlorës është qyteti më i rëndësishëm historik i politikës shqiptare në përgjithësi, në 105 vitet e fundit.
Janë një mijë arsye me e dashtë këtë qytet.
Në anën tjetër, kush shfaqet me një dashuri të madhe për shtetin e Kosovës, në ambientin e mbrapshtë politik dhe shoqëror që kemi krijuar veçmas në pesë-gjashtë vitet e fundit, poashtu rrezikon të akuzohet si dikush që nuk po ia di rëndësinë kombit shqiptar, apo që madje, me këtë dashuri po e cenon interesin e gjithëmbarshëm kombëtar shqiptar, etj.etj.
Edhe në këtë rast secili që shprehet me nocione të qarta sa e çmon dhe sa e respekton këtë shtet, duhet të bëhet gati për ta asyetuar gjithë këtë respekt dhe gjithë këtë dashuri për Kosovën.
Kosova si hapësirë a si territor, pa kurfarë dyshimi ka mbi supe të veta pjesën më të rëndë, më të rëndësishme, më të veçantë të historisë politike shqiptare që prej vitit 1912 e këndej.
Janë njëmijë arsye me e dashtë këtë vend, këtë shtet që është atdhe i shqiptarëve të Kosovës.
Ja që megjithatë, përkundër një mijë arsyeve pse Prishtina dhe Kosova meritojnë me i dashtë, ata që publikisht shprehen këtu janë gjithnjë e më të paktë, apo, nuk duan të kenë punë me gjithë ata që janë mohues të këtij vendi, të këtij shteti dhe të këtij qyteti, ndërsa pa ta, nuk do të ishin gjë prej gjëje.
Prishtinën dhe Kosovën e mbrojnë fare pak dhe shumë rrallë ata që janë të thirrur me e bë këtë. Që kanë marrë votë dhe përgjegjësi për të udhëhequr me këtë kryeqytet dhe këtë shtet. Që me detyrë e kanë që ta duan Prishtinën dhe Kosovën.
Ata që nuk e kanë detyrë, por ndjenjë të veten më të pastër, e duan këtë qytet, e duan këtë shtet dhe mburren që janë banor të Prishtinës dhe shtetas të Kosovës.
(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)